Trajnerët shkodranë janë nga më cilësorët, që ka vendi ynë dhe prandaj janë të shpërndarë në vende të ndryshme. Një ndër ata që po zhvillon një punë të suksesshme larg Shkodrës, është edhe trajneri Samuel Nikaj.

Trajneri i Vushtrisë, Nikaj, i ftuar në emisionin sportiv “Sport Show” në TV1-Channel, tha se fillimisht ekipi i tij është ndërtuar për një objektiv tjetër dhe jo për t’u ngjitur një kategori më lart. Nikaj tha se pritshmëritë më të pakta për skuadrën e tij, kanë qenë për të shkuar deri në play-off.

“Deri tani, na ka ecur mbarë në Kosovë. Objektivin minimal që kemi pasur, të paktën për të shkuar deri në play-off, besoj që e kemi arritur, sepse kanë mbetur edhe tetë ndeshje dhe jemi në një distancë të konsiderueshme me vendin e tretë.

Luftojmë hap për hap me vendin e parë për t’u inkuadruar direkt një kategori më lart. Ta shohim, tani kemi ndeshjen direkte javën e ardhshme.

Eshtë ndeshje që ka për të vendosur shumë, megjithatë e rëndësishme është që kemi bërë mirë. Eshtë një sezon, prej 19 ndeshjesh pa humbje.

Jemi nisur jo me objektiv kryesor për t’u ngjitur një kategori më lart. Thjesht jemi nisur për të bërë një ekip, për të pasur një jetëgjatësi, sepse ka qenë klubi krejt i shkatërruar.

Në momentin që kam shkuar, i kam gjetur në Ligën e Dytë. Një ekip dështoi për të marrë pjesë në Ligën e Parë, atëherë u liçensua ekipi i Vushtrisë, pra ne jemi përgatitur për Ligën e Dytë dhe luajtëm në Ligën e Parë.

Për t’u bërë fill pretendent, ishte pak e zorshme, por tradita që ka ai klub, sepse është 100-vjet klub, bëri të mundur. Siç thonë gjermanët, 10 vjet puno për emër, pastaj punon emri për ty.

Për ne punoi emri sidomos në fazën e parë. Tani, në fazën e dytë, i kemi bërë disa rregullime, për sa i përket kontigjentit të lojtarëve.

Shpresojmë që, edhe këto ndeshje të ecim pa humbje, të paktën të thyejmë rekordin, një sezon pa humbje, sepse pak ekipe munden ta çojnë një sezon pa humbje. Futbolli është një sport, që jo gjithmonë fiton më i miri. Tani, ta shohim”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Vushtrisë, Samuel Nikaj.

Maringlen ZHIVANI