Një shkodran po bën gjithçka mirë në Kosovë. Samuel Nikaj që kur ka marrë drejtimin e Flamurtarit të Prishtinës, jo vetëm që nuk e njeh humbjen por edhe e ka dërguar këtë ekip në vendin e parë në renditje. Një barazim dhe shtatë fitore rresht, kjo është ecuria e “çmendur” e këtij ekipi nën drejtimin e trajnerit shkodran. Ai mori drejtimin e kësaj skuadra dy muaj më parë kur ndodhej në vendin e tetë dhe sot e ka çuar në vendin e parë. I pyetur se çfarë ka ndryshuar tek skuadra, ai do të përgjigjej: “Në aspektin taktik shumë pak gjëra. Edhe në aspektin fizik sigurisht që nuk kisha se çfarë të ndryshoja sepse kampionati ishte në vazhdim. E vetmja gjë ku unë ndërhyva ishte ajo në anën psikologjike të futbollistëve.

Ua bëra të qartë pse kisha ardhur tek Flamurtari ndonëse në Shqipëri pata një ofertë të mirë nga Bylis. U thashë se arsyeja ishte emri i madh i kësaj skuadre dhe këtë gjë ma kishin thënë bashkëqytetarët e mi Grima, Cungu e Martini që kishin luajtur më parë me të. Dhe duke qenë një ekip i madh, nuk i shkonte për shtat të qëndruarit në mesin e tabelës së renditjes. Ndoshta edhe për fatin tim, gjërat morën për mirë dhe nga java në javë, u rritëm duke marrë rezultate pozitive dhe sot jemi në vendin e parë në renditje. Kemi edhe një ndeshje për të luajtur dhe për të mbyllur fazën e parë dhe shpresoj që këtë fazë ta mbyllim në vendin e parë në renditje. Pastaj do kemi tre muaj kohë në dispozicion për t’u përgatitur për fazën e dytë dhe besoj se gjërat do të marrin edhe për më mirë dhe do arrijmë objektivin që kemi”. Po cili është objektivi i ardhshëm i këtij trajneri me këtë skuadër? Nikaj përgjigjet: “Nuk kam shkuar në Kosovë për një kohë të shkurtër. Ideja ime është të qëndrojë të paktën për një periudhë dyvjeçare. Ta ngjis këtë ekip në Superligë në fund të këtij sezoni dhe më pas ta drejtoj edhe për një sezon tjetër në Superligë dhe me kaq besoj se misioni im do të përfundonte këtu. Kjo është një sakrificë për mua megjighatë besoj se ia vlen të sakrifikoj pak sepse vetëm kështu, CV-ja ime plotësohet ashtu si duhet në mënyrë që në të ardhmen të kaloj në një ekip tjetër me emër. Pse jo edhe në Shkodër sepse drejtimi i Vllaznisë është ëndërra ime megjithatë edhe pak kohë është herët”.

© shkodrasport.com