Vllaznia e femrave në volejboll arriti një fitore të rëndësishme në shifrat 3-0 me sete kundër Teutës në ndeshjen e fundit. Për ecurinë e vajzave shkodrane ka folur Sarah Beci. Një prej titullareve të formacionit kuqeblu ka treguar për objektivin e ekipit këtë sezon dhe se ndeshjet po përballohen më mirë me vajzat nga Shkodra.

Beci tha: “Ishte një fitore e rëndësishme kundër Teutës që është një emër i traditës në vendin tonë, por që këtë sezon nuk është në nivelin e duhur. E dominuam takimin e fundit duke merituar totalisht fitoren. Tashmë do kemi një ndeshje të rradhës kundër Barleti volej këtë javë.

Ato janë kundërshtari ynë direkt për vendin e katërt. Pozicion që të dërgon në Play Off dhe që është edhe objektivi ynë. Realisht që ndoshta në fillim të sezonit gjërat pretendoheshin të ishin më ndryshe, por planet nuk shkuan ashtu siç u parashikuan. Por gjithsesi ne nuk kemi dalë ende nga objektivat.

Lojtaret e huaja ? Nuk mund ta mohoj aspak eksperiencën dhe cilësinë e tyre, por nuk arritën të përshtateshin me ne. Sezoni ka marrë fytyrë tjetër kur ju besua vajzave shkodrane. Sepse ne jemi një grup që jemi që fëmijë bashkë e kemi fituar shumë me moshat.

Po ashtu shumë vajza nga Shkodra janë larguar drejt ekipeve të tjera. Ku jam e sigurtë që nëse ne do i kishim të gjitha këtu do ishim pretendete për titull. Një ëndërr që uroj ta realizojmë në të ardhmen”.
Endri ÇINARI