Seria A duket se po ndjek plotësisht hapat e Bundesligës me trajtimin e situatës së koronavirusit dhe planet që kanë ndërtuar gjermanët për të kthyer aktivitetet futbollistike në vend. Një plan që i sheh të dy këto kampionate të rifillojnë në muajt e ardhshëm, por pa tifozë, ashtu siç do të jetë i gjithë viti 2020.

Kampionatet në të dy vendet u ndaluan thuajse në të njëjtën kohë por shteti gjerman u shfaq më i përgatitur për të përballuar krizën e koronavirusit dhe klubet e tij janë ktheyr që këtë javë në stërvitjem, duke u përgatitur që së shpejti të jenë edhe në fushat e lojës.

Seria A ka monitoruar të gjithë situatën në Gjermani dhe po mundohet të kopjojë stilin gjerman. Por ashtu si Gjermania, shteti italian po bëhet gati për një sakrificë shumë të rëndësishme nëse kthehet përsëri futbolli në stadium.

Sipas mediave italiane, në diskutimet që ka zhvilluar qeveria, mund të dekretohet fillimi i aktiviteteve sportive në gjysmën e dytë të majit e më tej, por prania e tifozëve nuk do të jetë e mundur. Klubet e Serisë A janë të përgatitura për këtë skenar, por sigurisht jo për atë që mendon qeveria italiane, që të mos lejojë tifozë deri në mbyllje të vitit 2020.

Ky është plani fillestar në Gjermani, e kështu do të jetë me sa duket edhe në Itali, kurdo që të rifillojë futbolli. Janari 2021 do të jetë muaji kur dy kampionatet shpresojnë që të kenë përsëri tifozë në stadiume, duke besuar se deri atëherë virusi do të jetë vënë nën kontroll të plotë nëpërmjet një vaksine apo kurave efikase që do të ulin rrezikshmërinë e tij. /vipsport/