Futbolli në Shqipëri është ndalur prej më shumë se një muaj për shkak të pandemisë së Covid-19. Deri më tani nuk ka ende një datë zyrtare për rifillimin e kampionateve, por shpresat janë që të luhen në muajin maj.

Duke parë situatën drejt normalizimit dhe me pak raste në Shqipëri, FSHF-ja po mendon të rinisë futbollin e luajtur në maj për ta mbyllur përfundimisht në korrik pasi vendimi i UEFA-s është që titulli të vendoset në fushë e në këtë linjë është edhe FSHF-ja.

Në një prononcim për “A2CNN”, Shefi i Sektorit të Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Lysien Nurishmi u shpreh se janë në pritje të Qeverisë shqiptare për të filluar kampionatin.

“UEFA ka dhënë direktivën që kampionati të përfundojë në fushë. Edhe FSHF është dakord me këtë gjë, duke parë situatën në përmirësim në vendin tonë. Po presim një dritë jeshile se kur mund të rinisë stërvitja fillimisht, pastaj të vendosim datën e rinisjes së kampionatit.

20 korriku është data më e pëlqyeshme për përfundimin e kampionatit, pasi në gusht janë ndeshjet eleminatore të kompeticioneve evropiane. Nëse stërvitja nis javën e parë të majit, kampionati do të rinisë në 20 ose 24 maj.

Do të llogarisim dy javë stërvitje, për të rinisur më pas kampionatin. Idealja do të ishte të fillonim pa nisur qershori dhe ta përfundojmë në 20 korrik”, theksoi Nurishmi./newsport/