Vllaznia e femrave ka arritur një tjetër rezultat shumë të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, pasi sot ka kaluar turin në Ligën e Kampioneve, duke mundur kampionen e Turqisë. Skuadra shkodrane, ka triumfuar falë penalltive në një ndeshje drithëruese që ka parë përmbysje të rezultatit deri në sekondat e fundit të saj.

Në ndeshjen përballë ALG Spor, Gjini i dha avantazhin skuadrës shkodrane në pjesën e parë tëtë sfidës që luhej në “Loro Boriçi”. Skuadra mike shënoi në pjesën e dytë por ishte përsëri Gjini ajo që kaloi para ekipin e Vllaznisë në minutën e 70 të ndeshjes.

Avantazhi zgjati vetëm 3 minuta, sepse ekipi turk barazoi shifrat, ndërsa rezultati nuk ndryshoi deri në fund të 90 minutave duke çuar ndeshjen në shtesa, ku kishte një lojtare më pak pasi Curraj u ndëshkua me karton të kuq.

ALG Spor shënoi golin e avantazhit me anë të Civelek, kur shënohej minuta e 118 dhe gjithçka dukej e përfunduar. Megjithatë, në minutën e fundit shtesë të ndeshjes, në të 122-tën, Bajraktari vendosi barazinë në shifra duke çuar sfidën në gjuajtjet e penalltive.

Edhe pse Doçi gaboi gjuajtjen e saj, tre gabime të lojtarëve të ekipit turk nga pika e bardhë ndihmuan Vllazninë që të kalonte në turin e dytë të këtij turneu dhe t’i afrohet përsëri përballjeve me skuadrat elitare në kontinent. /vipsport/