Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur për mediat në një konferencë për shtyp në prag të sfidës kundër Bylisit, e vlefshme për javën e 17-të të Superiores, që do të luhet nesër në orën 16:00 dhe do të transmetohet live në Oversport.
Gjendja e ekipit – “Nuk është më e mira e mundshme, sepse kemi Ismajlgecin dhe Xhixhën që nuk janë në 100% e tyre, njëri për shkak të dëmtimit dhe tjetri për shkak të gjendjes gripale, por do të jenë nesër. Pastaj pjesa tjetër është e plotë. As Qefalia nuk është stërvitur me grupin këto ditë”.
Bylisi-“Kampionati ka përballje mes rivalëve dhe ne jemi të fokusuar vetëm tek ecuria dhe ndeshjet tona dhe sigurisht që ky do të jetë fokusimi jonë, pavarësisht se çfarë bëjnë kundërshtarët me njëri-tjetrin. Mos harrojmë që është një kampionat ku lufta është shumë e ashpër dhe të gjitha skuadrat kanë objektiva dhe janë aty-aty me njëra-tjetrën dhe do të ketë gjithmonë përballje të forta.
Bylisi është ndeshje që do përqendrim, vlerësim pasi e thash pak më parë që të gjitha skuadrat janë shumë afër me njëra-tjetrën, javë pas jave ka ndryshime, që mund të fitosh ndaj kujtdo dhe mund të lesh pikë ndaj çdo skuadre. Kjo është një ndeshje që është e vështirë, vazhdimësie që do të përgatitemi dhe do të mundohemi të japim më të mirën tonë”.
Merkato-“Është e vërtetë që klubi ka negociata me Abazajn, nëse do të konkludohet apo jo, besoj se do të kemi një përgjigje të saktë pas disa ditësh duke pasur që edhe merkato ka shumë pak ditë në dispozicion”, ka thënë Shehi.