Trajneri i Kukësit Orges Shehi propozoi aplikimin e 5 zëvendësimeve në një ndeshje në rast se rifillon kampionati shqiptar.
Në një lidhje direkte me “ABC News”, tekniku i skuadrës verilindore gjykon se ekipi i tij do ta ketë më të vështirë rikthimin në fushë se Tirana, por kërkoi që kampionati të vazhdonte.

Për sa i përket çështjes së pagave, ku te Kukësi presidenti Safet Gjici kundërshton t’i paguajë lojtarët, Shehi theksoi se edhe në rast shkurtohen pagat e futbollistëve, ai do të pajtohej me këtë gjë për shkak të situatës.

Rifillimi i kampionatit – Duke pasur parasysh se janë dhe 10 javë, ne do të vazhdojmë të synojmë për objektivin tonë. Patjetër që mund të ketë ndikim, është situatë e pajetuar më përpara. Dihet se kur mbaron kampionati, lojtarët marrin pushimet, dhe e dinë kur do të rifillojnë. Por, ne nuk e dimë se kur do të rifillojmë, as kushtet nuk i kemi normalisht. Do të jetë e vështirë, por e rëndësishme është të rifillojmë sa më shpejt futbollin”.

Stërvitja e lojtarëve – Ditët e para, pa u bërë kjo mbyllje e plotë, lojtarët sa kishin mundësi, e bënin stërvitjen e tyre, duke vrapuar. Megjithatë, stërvitja mungon, pasi me skuadrën është totalisht ndryshe. Gjithsesi, më mirë kaq sesa të fillojmë nga zero. Kalendari? Patjetër që do të jetë e vështirë me ngjeshjen e ndeshjeve. Më të vështirë do e kemi ne, jo Tirana. Më i favorizuar, do të jetë ekipi që ka kontingjentin më të plotë.

Propozimi për FSHF-n – Duke pasur një ngjeshje kalendari, pësohen dhe dëmtime. Shpresoj që skuadra të mos dëmtohet. Gjithsesi, të gjithë do të nisim në kushte të barabarta. Unë besoj se numri i kartonëve dhe procedurat, nuk mund të ndryshojnë. Mund të ndryshojnë zëvendësimet, të bëhen 5. Por gjithsesi, kjo i përket Federatës për të vendosur, ne do të përshtatemi që të marrim maksimumin nga lojtarët. Në këtë periudhë ku jemi, gjithçka mund të ndodhë.

Pagat – Këtë situatë ku jemi, që ka vështirësi e gjithë bota, kanë vështirësi dhe klubet shqiptare. Sa i përket reduktimit, nuk mund të flas për lojtarët, pasi kam pasur vetëm komunikim për stërvitje. Nëse reduktohen pagat, e pranoj pa asnjë lloj diskutimi, jemi në kushte emergjente.

Lufta për titull – Ne shpresojmë të kthehemi sa më shpejt në fushë. Kurrsesi nuk mund të dorëzohemi, janë dhe 10 javë. Kemi pasur shumë dëmtime, por me rikthimin e lojtarëve, do të sulmojmë fort për objektivin madhor.