Kukësi-Bylisi, miqësorja që po luhej në Librazhd, ka pasur tension të madh dhe është ndërprerë. Mes futbollistëve të të dyja ekipeve ka pasur sherr dhe në këto kushte nuk mund të vazhdohej më. Ishin luajtur diçka më shumë se 50 minuta.

Shkak për tensionin kanë qenë ndërhyrjet e rënda, që kanë sjellë edhe ndërhyrje të qëllimshme më pas. Në fushë kanëz zbritur edhe stafet e të dyja ekipeve, për të qetësuar gjakrat. Ndeshja ishte 0-1 në favor të Bylisit, që kishte shënuar me Ntephe në pjesën e parë.

Ky sherr nuk është i pari në miqësoret e verës së klubeve shqiptare, pasi edhe Turbina-Dinamo u ndërpre para pak ditësh për shkak të një sherri të nisur në fushën e blertë.

Klubi i Kukësit ka dalë edhe me një njoftim, rreth 30 minuta pasi abcnews.al kishte raportuar për sherrin e ndodhur. “Ndeshja miqësore mes Kukësit dhe Bylisit u ndërpre në pjesën e dytë.

Loja e ashpër, bëri që situata të dalë jashtë kontrollit dhe për këtë arsye, trajneri vendosi të tërhiqte ekipin nga fusha. Kjo ndeshje shërbente për provë lojtarësh, nuk kishte pikë dhe as përfitime”, njofton Kukësi.