Vllaznia ka humbur sot me shifrat 0-1 kundër Tiranës në “Loro Boriçi”. Ekipi i udhëhequr nga Goce Sedloski ka pasur një ecuri në rënie që pas fitores bindëse ndaj Erzenit. Bledi Shkëmbi sheh si problem entuziasmin e lojtarëve pas fitores së parë me Sedloskin në pankinë.

Ish-futbollisti korçar ka thënë në studion e emisionit “Ti Bo Gol” në “Oversport” se lojtarët e Vllaznisë hodhën poshtë punën e bërë gjatë gjithë sezonit pas triumfit kundër Erzenit dhe kjo nuk është mënyra e duhur për të vepruar në futboll.

“Nuk më pëlqeu kur pas ndeshjes me Erzenin lojtarët e Vllaznisë u bënë shumë entuziastë dhe thanë: “Na ndihmoi ndryshimi i trajnerit, me tre ditë shikoni çfarë bëmë“. A thua se nuk ishte punuar gjatë gjithë vitit me trajnerët e tjerë.

Por në futboll duhet t’i lësh fjalët dhe të punosh, sepse kanë dy ndeshje që kanë luajtur dobët“, ka thënë Bledi Shkëmbi./Sport Ekspres/