Shkëndija e Tetovës po kërkon trajner dhe së fundmi ka dalë në skenë emri i Orges Shehit.

Burime të “Panorama Sport” kanë bërë me dije se zyrtarë të klubit kuqezi kanë qenë sot në Tiranë dhe kanë takuar menaxherin e trajnerit. Këmbëngulja ka qenë e madhe dhe oferta gjithashtu tunduese.

Dihet se kur klubi kuqezi në Maqedoninë e Veriut vendosin të jenë “bindës”, ata mund të joshin këdo nga trevat shqiptare.

Të jemi të qartë, nuk bëhet fjalë vetëm për ofertën financiare të kënaqshme, por edhe organizmi i tyre në vendet e rajonit është model.

Megjithatë, situata është e komplikuar, pasi edhe Shehi sot drejton Tiranën, kampionen në fuqi të Shqipërisë me të cilin fitoi titullin më se të merituar.

Jo vetëm kaq, por ai është nën kontratë dhe natyrisht që bardheblutë janë në një moment delikat pas largimeve të disa futbollistëve.

Burime konfidenciale bënë me dije për gazetën se Shehi nuk u ka dhënë një përgjigje përfundimtare drejtuesve të Shkëndijës, sepse më parë duhet të vihet në dijeni presidenti i klubit të Tiranës, Refik Halili.

Natyrisht, oferta është tunduese dhe Shehi po e mendon, por ende nuk e ka vendosur.

REAGON HALILI

“Panorama Sport” ka kontaktuar dje në mbrëmje presidentin e klubit të Tiranës, Refik Halili, dhe ky i fundit ka deklaruar se nuk është në dijeni të këtyre zhvillimeve.

“Po e marr vesh nga ju të gazetës lajmin se Shehi mund të shkojë te Shkëndija e Tetovës.

Nuk jam aspak në dijeni dhe jam i befasuar si ka dalë ky lajm në këtë moment.

Unë isha në stërvitjen e sotme (djeshme) të skuadrës, kam folur shumë qetësisht me trajnerin për vazhdimësinë e kampionatit. Absolutisht nuk di asgjë!

Mendoj që janë gjëra të pabesueshme.

Po të ishte fakt i kryer, atëherë duke pasur parasysh marrëdhëniet e mira që kam me trajnerin dhe si e njoh unë Shehin, natyrisht që do të më kishte bërë me dije.

Gjithashtu edhe drejtori im sportiv do të më kishte njoftuar pa diskutim nëse do të kishte diçka në lidhje me trajnerin.

Për mua ky është një spekulim, dhe i fortë madje! Tirana nuk është skuadër e Kategorisë së Dytë, pa dashur të ofendoj askënd”, deklaroi Halili ekskluzivisht për gazetën.

PRO DHE KUNDËR

Shkëndija është gjithnjë tunduese për nga organizimi, ambiciet, si dhe emri që ka. Kjo natyrisht që e ka futur në mendime Shehin.

Nëse dikush ka dyshime për këtë mjafton të pyesë Shpëtim Duron ose Ernest Gjokën që kanë punuar vitet e fundit në atë klub dhe e dinë se si funksionojnë gjërat.

Përveç kësaj, Shehi është në “hall” edhe me ndryshimet e shumta që pësoi Tirana këtë sezon duke larguar disa nga lojtarët më të dalluar gjatë verës.

Kjo e shton rrezikun për të përsëritur suksesin e sezonit të kaluar.

Nga ana tjetër, Tirana mbetet klubi më i titulluar në vend dhe shumë kolegë të Shehit e kanë ëndërr që të ulen në stolin bardheblu, përtej problematikave nga më të ndryshmet.

Jo vetëm kaq, por Shehi ka edhe një raport special me presidentin, skuadrën dhe tifozët, çka e bën më të vështirë një largim të mundshëm. Dhe e fundit: është nën kontratë. Të shohim se si do të shkojnë gjërat në orët në vijim…