Kryetari i Bashkisë Shkodër Bardh Spahia priti në një takim në zyrën e tij presidentin e federatës shqiptare të Boksit Florend Kalivopulli, trajnerin Zef Gjoni me kolegët e tij si dhe boksierët pjesmarrës në “Natën e Kampionëve” që u zhvillua në fundjavë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
Duke i përgëzuar për emocionet e dhuruara dhe fitoret e arritura, kryebashkiaku Spahia e cilësoi sportin e boksit si një prej krenarive të qytetit që në 25 vite ka sjellë vetëm trofe dhe suksese për Shkodrën.
Presidenti Kalivopulli e cilësoi Bashkinë Shkodër si modelin e radhë në vend sa i përket mbështetjes që i ka dhënë boksit, ndërsa i shprehu mirënjohjen e tij kryetarit Spahia për gatishmërinë e treguar në organizimin e aktiviteteve.
Shqipëria pritet që këtë vit të jetë organizatore e kampionatit Ballkanik të boksit dhe kryebashkiaku Spahia kërkoi që të jetë Shkodra qyteti mikëpritës i këtij kompeticioni të rëndësishëm.
Mbështetja ndaj sportit të boksit dhe në tërësi të të gjitha sporteve do të jetë një prej prioriteteve të punës tonë të përditshme, u shpreh në mbyllje të fjalës së tij kryebashkiaku Spahia.