Gjatë verës që lamë pas, të gjithë ne u kënaqëm që të tre këta futbollistë u rikthyen pas shumë vitesh tek Vllaznia. Menduan se duke patur në rradhët e saj edhe Erjon Vucajn, Edon Hasanin dhe Gilman Likën, skuadra do ishte krejt ndryshe. I kishim pritur prej vitesh në fakt që ata të visheshin kuqeblu dhe besoj se të ishin dakord për rikthimin e tyre.

Shenjat e para u dhanë në Lushnjë por vetëm aq. Me kalimin e javëve, “treshja e frikshme” nuk tremb më askënd.
Nuk trembi dje as 19-20 vjeçarët e panjohur të Laçit. Sigurisht që askush nuk dyshon në aftësitë e këtyre tre lojtarëve por mund të ketë edhe justifikime se ato nuk kanë formën e duhur fizike. Gjithsesi ky tashmë nuk duhet të jetë një justifikim. Shkodra i ka sytë nga Vucaj, Hasani e Lika dhe të tre ata duhet “ta marrin për dore” Vllazninë. Duke filluar nga ndeshja e rradhës me Flamurtarin, për të vazhduar me ndeshjen e parë të kupës ndaj Tiranës e kështu me rradhë. Kuqeblutë duhet ta tregojnë veten këtë sezon. Më shumë shkodranë sesa sivjet, nuk ka patur asnjë herë tjetër këto vitet e fundit dhe prandaj vetë ata duhet të marrin në dorë fatet e kësaj skuadre në mënyrë që ajo “të mos bëhet gazi i botës” siç ndodhi edhe një sezon më parë kur ishte në prag të “humnerës”.

© shkodrasport.com