Qyteti sportdashës i Shkodrës do të presë finalet e Kupës së Shqipërisë në boks për këtë vit. Kjo gjë është vendosur në mbledhjen e kryesisë së kësaj Federate dhe tashmë klubi Vllaznia ka filluar të marrë masat për mikëpritjen e të gjithë ekipeve të vendit dhe njëkohësisht edhe për mbarëvajtjen e aktivitetit. Janë përcaktuar edhe datat kur do të zhvillohet ky edicion i Kupës së Shqipërisë teksa dita e parë do të zhvillohet më datë 3 dhjetor ndërsa finalet do zhvillohen më datë 5 dhjetor në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Në këtë aktivitet, që është i dyti për nga rëndësia pas kampionatit kombëtar, do të marrin pjesë të gjithë ekipet e vendit me boksierët e tyre më të mirë. Ashtu si dhe në kampionat ku pati shumë rivalitet, e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe këtë herë. Por përveçse rivalitet në aspektin individual, natyrisht që vëmendja kryesore do të jetë e përqendruar tek rivaliteti në garën ekipore. Vllaznia dhe Tirana ashtu si në kampionat, mendohet të jenë pretendentet kryesore për fitimin e këtij trofeu. Në fakt, shkodranët do kërkojnë “të marrin hak” për titullin e humbur dy muaj më parë në kryeqytet ndonëse pas kampionatit akuzuan jo pak edhe gjyqtarinë dhe Federatën se ndikuan në humbjen e titullit të 20-të për ta. Tashmë për boksierët e trajnerit Zef Gjoni do jetë mundësia më e mirë për të treguar veten në sfidat direkte me boksierët e Skënder Kurtit dhe Sead Bushatit. Kjo, për tre ditë me rradhë në ringun e Shkodrës ku mendohet që këto finale të ndiqen sërish nga një numër i madh sportdasësish të këtij qyteti që gjithnjë kanë treguar se e duan këtë sport dhe prandaj i kanë mbështetur fuqimisht boksierët sa herë që janë ndeshur aty.
Gjergj KOLA