Opinion

Nga Mejdan ZHIVANI

Lëvizjet e fundit në merkaton shkodrane, ka bërë që të harrohen dhe të ndryshohen srategjitë e këtij klubi për të ardhmen. Në fillim, kur tekniku aktual Rudi Vata mori drejtimin e kuqebluve u fol për një Vllazni potente, rikthim i saj tek tradita me lojëra të bukura dhe me synime të qarta për në Europë, përmes aktivizimin dhe dhënies më shumë hapësirë të elementit të ri vendas dhe me perspektivë. Por gjërat duket se jo vetëm kanë ndryshuar hera-herës, por trashmë po “harrohen” edhe strategjitë dhe objektivat. Emrat e fundit, që janë përfolur që mund të vijnë në radhët e Vllaznisë, bëjnë automatikisht zbehjen e aktivizimit në shumicë të futbollistëve të rinj, të cilët janë të detyruar t’u hapin krah, të ardhurve. Gjithashtu u hodh poshtë edhe ideja se Vllaznia, përveç futbollistëve vendas, mund të ketë edhe ndonjë shqiptar dhe sa më pak të huaj, por duket se po ndodhë përsëri e kundërta. Edhe fakti apo pohimet e njëpasnjëshme se nuk do të ketë largime në janar, por vërtetohet e kundërta çdo ditë e më shumë. Sa i takon objektivave për sezonin, që synohet Kupat e Europës, me këtë gjendje, nga kampionati  për Vllazninë, një gjë e tillë është thuajse e pamundur, vetëm nëse arrihet përmes Kupës së Shqipërisë. Herë flitet për një Vllazni me të rinj, e herë flitet për një Vllazni me të huaj për të arritur objektivat. Herë flitet për një Vllazni me futbollistë, që do t’i shërbejnë perspektivës, e herën tjetër flitet për lojtarë të huaj, pa ndonjë CV të pasur apo të njohur, që vijnë në Shkodër, që mund të përsëriten në një farë mënyrë kohët e mëpërparshme, kur tek kuqeblutë vinin futbollistë nga të gjitha anët e botës. Duket se Vllaznia, përfundimisht, për këtë sezon, përsëri nuk ka një strategji apo objektiva të qarta se çfarë kërkon. Mbetet që pas janarit, të mësojmë përsëri objektiva dhe strategji të reja në lidhje me Vllazninë.