
Tre ditë më parë, policia shqiptare përmes një komunikate zyrtare ka bërë të ditur se nuk merr përsipër zhvillimin e ndeshjeve të futbollit në 28 stadiume të vendit tonë.Ajo që ra në sy, në listën e qarqeve dhe stadiumeve ku policia nuk garanton sigurinë, ka qenë padyshim fakti se Qarku i Shkodrës dhe stadiumet që janë pjesë e këtij qarku nuk kanë qenë problematikë. Që do të thotë se policia e Shkodrës nuk ka shprehur asnjë problem dhe shqetësim për zhvillimin e ndeshjeve jo vetëm në stadiumin “Loro Boriçi” por edhe në fushat sportive të Velipojës, Koplikut madje edhe në atë të Pukës pavarësisht se ngjarjet e para tre sezoneve merren ende si shembull i keq i dhunës në stadiume por pukjanët atë gabim të bërë po e shlyejnë me një mbështetje të zjarrtë të ekipit të tyre brenda të gjitha rregullave të fair-play-it. Fakti që stadiumet e Qarkut të Shkodrës nuk janë aspak problematikë, vërteton më së miri edhe kulturën dhe civilizimin e banorëve të këtyre tre rretheve që e përbëjnë atë. Njëkohësisht edhe sigurinë që jep policia për të qenë në krye të detyrës. Shkodranët dhe veriorët kësisoj nuk qenkan aspak problematikë dhe ky është vërtetë një lajm i mirë për sportin shqiptar. Nëse në të gjithë qarqet e tjera ka stadiume problematike, në atë të Shkodrës jo. Këta veriorët mesa duket nuk qenkan ata “malokët” e frikshëm. Qenkan njerëz të kulturuar dhe aspak problematikë. Lista e 28 stadiumeve ku nuk garantohen zhvillimet e ndeshjeve nga policia, është kundërpërgjigja më e mirë ndaj këtyre njerëzve që mendojnë kështu. Në Shkodër e rreth saj, ka patur, ka dhe do ketë kulturë. Më shumë se në shumë qytete të tjera të këtij vendi.
shkodrasport.com