Masimiliano Alegri e ka kërkuar me forcë një përforcim në repartin ofensiv dhe klubi është vendosur në kërkim të një sulmuesi që të plotësojë parametrat e tyre. Pas mbërritjes së Di Marias, bardhezinjtë kërkojnë një alternativë ekonomike por që të sjellë cilësi dhe eksperiencë dhe pistat janë të shumta.

Nuk është sekret që Alvaro Morata është i preferuari i trajnerit, por ndërsa ish-lojtari i Juves ka eksperiencën e duhur, 35 milionë eurot që kërkon Atletiko janë një shifër që torinezët nuk janë të gatshëm ta paguajnë. Për këtë në “pole” ka kaluar një tjetër emër që i përmbush kriteret e vendosura, edhe pse në javët e shkuara ishte “injoruar” nga klubi. Bëhet fjalë për Memfis Depain, sulmuesin e Barcelonës, që edhe pse ka edhe një vit kontratë me klubin katalanas, është pranë largimit.

SITUATA – Holandezi aktualisht përfiton 5 milionë euro në sezon, një rrogë që mund t’i ofrohet edhe në Torino, edhe pse problem mund të përbëjë kohëzgjatja e kontratës. 28- vjeçari nuk do të kënaqet me dy vite, pasi e di se duhet të gjejë një skuadër që të mund t’i ofrojë mundësinë për të gjetur vazhdimësinë dhe Juventusi nuk është ende gati për të realizuar një goditje të rëndë për financat. Këto hipoteza ama vlejnë nëse Barcelona dhe Depai do të zgjidhin kontratën mes tyre, një nga opsionet që po shqyrtohen në Katalonjë.

Mes kërkesës së “blaugranave” për rinovimin për ta shitur më shtrenjtë më vonë dhe “hakmarrjes” së sulmuesit që nëse nuk largohet këtë verë do të qëndrojë për t’u larguar në qershor me parametër zero, mund të gjendet një zgjidhje konsensuale. Barça mund të dorëzohet dhe të pranojë transferimin e tij këtë verë duke i zgjidhur kontratën nëse nuk ka asnjë klub që paguan 20 milionë eurot me të cilat vlerësohet momentalisht kartoni i tij, parë edhe gjendjen ekonomike të klubit dhe Depai të lërë kapriçot për të nisur një tjetër aventurë. I fituari në fund mund të dalë Juventusi, që vërtet mund të mos mbërrijë tek i adhuruari Morata, por mund të sigurojë një profil të një niveli të lartë për të kompletuar repartin.