Dy futbollistë shkodranë pikërisht Bledar Perfati dhe Jaser Rrustja, pas aventurës 6 mujore në Kosovë me ekipin e Trepçes, janë kthyer në qytetin e tyre dhe janë shumë pranë kalimit tek skuadra e Adës. Këta dy futbollistë njihen për vlerat e tyre dhe nëse do bëhej realitet kalimi tek velipojakët, do ta rriste shumë forcën e kësaj skuadre për fazën e dytë të kampionatit. Perfati e Rrustja pritet të jenë sot në formacionin e Adës në miqësoren ndaj Vllaznisë dhe trajneri Samuel Nikaj kërkon të shohë se si funksionon skuadra me to. Ende nuk është biseduar më konkretisht për kontratat megjithatë palët duken shumë pranë arritjes së një akordi të mundshëm. Janë dy lojtarë me vlera, njëri luan në sulm dhe tjetri në mesfushë dhe për Adën do ishin dy pika shumë të forta për arritjen e objektivave të saj në këtë sezon.