Sot ka ulur siparin zyrtarisht Liga e Kombeve dhe arritje historike shënoi Kosova që mundi me rezultatin e thellë 4-0 Azerbajxhanin në stadiumin “Fadil Vokrri”. Me mbylljen e këtij turneu që ishte risi për Europën, janë përcaktuar zyrtarisht edhe vazot për shortin e Europianit që do të hidhet në datën 2 dhjetor në Dublin.

Kështu, Shqipëria është renditur në vazon e katërt ndërkohë që Kosova është pozicionuar në vazon e pestë. Kështu, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Kosovën pritet që të ketë kundërshtarë relativisht të fortë në letër, madje nuk përjashtohet as mundësia që Kosova dhe Shqipëria të jenë në një grup të përbashkët në eliminatoret e Europianit të ardhshëm.

Në total do të jenë 10 grupe, ku pesë grupe do të kenë nga 5 skuadra (A-E), ndërkohë që pesë grupe të tjera do të kenë nga 6 skuadra(F-J). Shqipëria do të ketë 3 kundërshtarë më të fortë se vetja, të paktën në letër dhe vetëm një skuadër do të jetë më e lehtë në rast se jemi në 5 grupet e para. Nëse do të jemi në 5 grupet e dyta, atëherë Shqipëria do të ketë 2 kundërshtarë relativisht të lehtë në letër.

Situata më e vështirë paraqitet për Kosovën, e cila do t’i ketë të gjithë kundërshtarët më të fortë ën rast se shorti e vendos në grupin me 5 skuadra. Në rast se edhe Kosova do të jetë në grup me 6 skuadra, atëherë do të ketë edhe një rival modest që vjen nga vazoja e fundit.

Shqipëria nuk mund të ketë asnjë kundërshtar nga vazoja e katërt, ndërsa Kosova nuk mund të ketë kundërshtar nga vazoja e pestë.