Trajneri Shpëtim Duro, duke folur në emisionin “Skaner” në MCN TV, për derbin Partizani-Tirana, që u mbyll me fitoren 0-2 të bardhebluve, deklaroi se është e rëndë ajo që trajneri i të kuqve, Kolela tha pas ndeshjes, që lojtarët nuk zbatuan detyrat e tij.

Duro deklaroi se trajneri tha se ka luajtur derbi në kategorinë e tretë apo të katërt, por nuk ia ka idenë një derbi historik si Partizani-Tirana, që përjetohet shumë nga tifozët.

“Kolela thotë që nuk funksionoi asgjë, lojtarët nuk zbatuan detyrat e tij. Kjo është më e rëndë, ku një trajner thotë që nuk iu përgjigj skuadra. Si ndeshje, kam mendim, që do mbahet mend gjatë kjo fitore e Tiranës, për shkak se janë raste të rralla që me 10 lojtarë të shënosh dhe të fitosh kështu.

Është shumë e rëndë. Kisha besim më shumë te Tirana. Avantazhi i Tiranës, është trajneri, e di si është derbi. Kolela nuk e paska për herë të parë derbin, sepse ka pasur më parë, në kategori të tretë ose të katërt. Ai nuk e ka idenë për një derbi historik. E dimë ne që e kemi përjetuar. Derbi ndikon shumë te tifozët”- eshte shprehur Duro.