Ndeshja e së martës ndaj Dinamos është një provë reale e Skënderbeut për të mbajtur hapur çështjen e mbijetesës. Në të kundërt gjithçka pritet të bëhet shumë më e vështirë sesa është tani.

Humbja e fundit në kampionat ndaj Kastriotit ka qenë e rëndë, jo vetëm në planin e klasifikimit, por edhe atë psikologjik, si pasojë e presioneve të hasura para dhe gjatë ndeshjes.

Për këtë bardhekuqtë duan ta lënë pas dhe të mos mendojnë për atë takim. I këtij mendimi është edhe Leard Sadriu, mbrojtësi i Skënderbeut, i cili tregon ato që panë në ndeshjen e fundit të humbur me rezultatin 1-0. Në një takim ku, sipas Sadriut, nuk mund të luhej futboll i qetë për shkak të situatës së krijuar.

“Është e vërtetë që humbja në ndeshjen e fundit ndaj Kastriotit ka qenë problem për ne, pasi nuk mundëm dot të qëndronim bashkë me grupin dhe të merrnim rezultat pozitiv. Ishim përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm dhe interpretuam lojën tonë.

Por, gjithçka u prish nga tensioni i krijuar në hyrje të stadiumit dhe pa nisur ndeshja. Ai incident na shpërqendroi dhe na shokoi, pasi nuk e prisnim një pritje të tillë. Gjithsesi, humbëm nga një mungesë fati, me një autogol. Mbetet një humbje dhe për këtë na vjen keq”, theksoi Sadriu.

REAGIMI – Pas këtij takimi është koha për reagim dhe përpos mungesave Sadriu kërkon që Skënderbeu të bëjë maksimumin për t’i dhënë rrjedhë tjetër lojës dhe gjendjes në kampionat. “Sapo u kthyem në Korçë kemi mbyllur gjithçka për sa i përket atij takimi.

Kemi analizuar me qetësi situatat e ndodhura dhe së bashku jemi angazhuar ta nxjerrim Skënderbeun nga kjo gjendje. Do ia dalim, kini besim te ne. Ishim ne që bëmë realitet, atë që vjet dukej e pamundur. Kemi forcën që ta bëjmë sërish. Nga ky takim e deri në fund ka për të qenë tjetër histori”, vijoi mbrojtësi i Skënderbeut.

DINAMO – Ndeshja ndaj Dinamos duket si një pikë e duhur për kthesën e Skënderbeut, në një kohë kur dy ekipet më të pafata të momentit dhe me ecuri negative përballen në Korçë. Për Sadriun, kjo është një ndeshje e cila duhet fituar me çdo kusht, ndaj po e përgatisin si finale të sezonit.

“Këtë takim e kemi cilësuar si finale të sezonit. Do të japim 200% nga vetja pasi ky takim është nga ato ndeshje që duhen fituar me çdo kusht. Jemi të bindur se do të bëjmë një ndeshje të madhe dhe do të jemi gati për një betejë të fortë. Të gjithë jemi bashkë dhe kjo vlen më shumë se çdo gjë”, mbylli prononcimin e tij Leard Sadriu.