Vllaznia e volejbollit te femrave e ka nisur mbare kampionatin e sivjetem duke i fituar te tre ndeshjet e para dhe kryeson me merite renditjen. Nje nga lojtaret kryesore te ketij ekipi dhe me me pervoje, eshte padyshim kapitenia Shqipe Molla.

Ajo luan prej 8 vitesh me kete ekip dhe eshte nje volejbolliste e cila ka spikatur me paraqitjet e saj dhe jo me kot, eshte vleresuar si nje nga me te mirat e shekullit ne rastin e festimeve te 100 vjetorit te SK Vllaznia.

Shqipe Molla ne fakt nuk ka shume deshire te shfaqet ne media dhe per rrjedhoje intervistat e saj nuk jane te shpeshta, megjithate ka pranuar me kenaqesi te flase per “Shkodra Sport” me gazetaren Fabiola Caka, interviste te cilen mund ta ndiqni me poshte:

– Kur ke nisur të merresh me volejboll dhe si ka lindur kjo dëshirë tek ju?

Dëshira për sportin ka ardhur vetvetiu. Nuk mbaj mend një datë të caktuar por mbaj mend që kjo dëshirë ka ekzistuar akoma pa u krijuar ekipi i volejbollit të femrave në Shkodër, Vllaznia. Menjëherë pasi u formua për herë të parë ky ekip në vitin 2008, nuk hezitova të bëhesha pjesë e tij.

– Si e kujton ndeshjen tënde të parë?

Ndeshja e parë ka qenë një emocion i veçantë, për vetë faktin sepse sapo ishin krijuar skuadrat dhe kampionati i volejbollit të femrave. Ajo ndeshje do të qëndrojë gjatë në memorien time.

– A ka qenë e vështirë për ju të merreshit me këtë sport?

Mund të them që sporti do sakrfica, e sidomos për ne femrat. Ka qenë një periudhë jo fortë e lehtë për mua dhe familjen time por falë pasionit që kisha për volejbollin dhe falë mbështetjes së saj ia dola.

– Cilin do të veçoje si momentin kyç në karrierën tënde si volejbolliste?

Nuk mund të veçoj vetëm një moment, pasi kanë qenë të shumta momentet kyçe gjatë gjithë karrierës time. E sidomos ato ndeshje ku unë si lojtare kryesore duhej të merrja më shumë përsipër, duke motivuar edhe pjesën tjetër të skuadrës në marrjen e pikëve.

– Kush është ëndrra jote më e madhe apo synimi që ke për të ardhmen?

-Synimi im është që të punoj fort në mënyrë që të kemi rezultate të mira me ekipin. Ndërsa për të folur për ëndrrën time më të madhe, është që Vllaznia të arrijë të dalë kampione pas shumë viteve mungesë të një kupe volejbolli për femra në Shkodër.
Intervistoi: Fabiola CAKA