Kupa “Nënë Tereza” mund të jetë turneu i parë mbarëkombëtar, ku përfshihen Kosova dhe Shqipëria. FSHF-ja ka dalë hapur rreth këtij projekti dhe tani pret vetëm miratimin e FIFA-s dhe të UEFA-s. Bëhet fjalë për një kompeticion ku do të marrin pjesë jo vetëm klubet e elitës, por edhe të kategorive inferiore të të dy vendeve. 

Gjatë muajve të fundit është punuar intensivisht mbi këtë projekt rreth të dy federatave dhe Kupa do të quhet “Nënë Tereza”. Ideja është që fituesi i këtij turneu të mund të marrë pjesë edhe në Kupat e Europës, por për këtë duhet miratimi nga organizmat ndërkombëtarë të futbollit.

Ndërkaq, slogani i kësaj kupe është menduar të quhet “Futbolli, gjuha jonë”. Në nëntor, FSHF-ja i ka dërguar një shkresë sekretares së përgjithshme të FIFA-s dhe sekretarit të përgjithshëm të UEFA-s, për ta miratuar këtë aktivitet dhe tani pret përgjigjen përfundimtare.

Ndihma e dy qeverive 

Bëhet fjalë për një aktivitet madhor, që parashikon rreth 202 ndeshje, pasi janë parashikuar të marrin pjesë mbi 100 ekipe, sipas një skeme të përcaktuar mirë.

Nëse FIFA dhe UEFA do ta miratojnë këtë projekt, atëherë të dyja federatat do t’u kërkojnë qeverive respektive që të mund të kontribuojnë financiarisht, pasi në të kundërt, organizimi i këtij kompeticioni është vështirësisht i realizueshëm.

Federatat gjithashtu kanë parashikuar që të ketë shpërblime për skuadrat pas çdo turi që kalojnë dhe kjo përveçse e bën garën më të fortë dhe më të paparashikueshme, do të rrisë edhe kostot. Për këtë arsye, ndihma financiare e qeverisë shqiptare dhe e asaj kosovare konsiderohet e domosdoshme.

Një nismë e tillë ka shqetësuar jo pak serbët, të cilët janë kundër dhe e shohin këtë si një hap drejt “Shqipërisë së Madhe”, që fillimisht po ia nis nga futbolli…