Ndeshjet ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe për këtë arsye, kërkohet çdo futbollist që mund të japë ndihmën e tij që të sigurohen fitore dhe kalimi në Ligën B në Ligën e Kombeve për edicionin e ardhshëm.

Ndaj FSHF është gati të bëjë çdo gjë që të sigurojë Marash Kumbullën, i ndaluar për momentin nga autoritetet shëndetësore të qytetit të Romës për të udhëtuar drejt vendit tone.

Meqë dy futbollistë të klubit të tij kanë rezultuar pozitiv, ASL e Romës, autoriteti që përcakton masat gjatë periudhës së pandemisë për qytetin, ka vendosur që e gjithë skuadra të vendoset në izolim parandalues. Ndaj Kumbulla do të mungojë në grumbullimin e përfaqësueses, të paktën për momentin.

FSHF shpreson që të ndryshojë këtë vendim dhe sipas mediave italiane, është në kontakt të vazhdueshëm me ASL të zonës Roma 2 që mbulon klubin, duke tentuar të ndryshojë masën e marrë për lojtarin e përfaqësueses kuqezi.

Burimet shpjegojnë se ajo është treguar e gatshme që udhëtimi i lojtarit të bëhet në izolim të plotë, duke ofruar mundësinë e udhëtimit të tij me një avion çarter vetëm për të në mënyrë që futbollisti të mos jetë në kontakt me askënd deri sa të mbërrijë në vendin tonë. /vipsport.al/