Në një kohë kur në të gjithë vendet në rajon, për të mos thënë edhe në Europë, futbolli vijon të luhet dhe tifozët të gëzojnë pjesërisht nëpër shkallët e stadiumeve që kanë nisur t’i rikthejnë gradualisht, apo nëpër shtëpitë e tyre, në vendin tonë stadiumet i kanë zënë delet.

Teksa kjo ishte fundjava e dytë që nuk u luajt futboll, nëpër shkallët e stadiumeve tona janë shfaqur dhi dhe dele, të cilat nuk pyesin as për pandeminë dhe vendimet për të ndaluar sportin apo shumëçka.

Siç demostrojnë edhe fotot e siguruara nga gazeta, në shkallë stadiumesh tani ka dhi dhe dele që kullosin lehtësisht…

BOJKOTI – Futbolli shqiptar vijon të mos luhet, teksa këtë fundjavë, krahas kampionatit të Kategorisë Superiore, do të dilnin në fushë edhe skuadrat e të Parës. Mirëpo, me vendim të Ligës Profesioniste, futbolli shqiptar ka bojkotuar lojën si thirrje për qeverinë dhe kryeministrin që të plotësojë kërkesat e artikuluara prej javësh.

Futbollistët këtë fundjavë, ndryshe nga më parë, dolën në fushë por formalisht dhe për të protestuar. Me uniforma, gjithashtu edhe me praninë e arbitrave apo delegatëve të FSHF-së, në pesë stadiumet e Superiores u lexua në union një mesazh nga dhjetë kapitenët, që konfirmuan moszhvillimin e lojës, derisa të ketë plotësim të kërkesave nga kryeministri dhe qeveria.

Është për të ardhur keq që mes qeverisë dhe sportit, në këtë rast futbollit, nuk ka një marrëveshje. Për të ardhur keq, që situata ka mbërritur deri në këtë pikë, kur asnjëra palë, as qeveria dhe as pjesa e sportit nuk bëjnë hapa pas, për të gjetur një mënyrë, të mesmen e artë, që futbolli të rifillojë të luhet.