Vllaznia ditët e fundit ka përjetuar kohë trazirash. Lojtarët nuk u paraqitën në stërvitje për shkak të pagave të padhëna. Ata u shprehën se kanë katër muaj pa marrë asnjë pagë dhe e vetmja zgjidhje u pa bojkotimi i stërvitjes.

Kjo situatë vetëm pak ditë para rinisjes së kampionatit, ku Vllaznia është në zonën e Play-Out, vuri në lëvizje klubin dhe bashkinë e Shkodrës, që është pronare e të gjitha aksioneve.

Pas negociatave të dështuara me administratorin Suad Lici, ishte kryebashkiakja Voltana Ademi, e cila i bindi lojtarët të kthehen në stërvitje përmes një premtimi.

Ajo u zotua se ata do të kenë një pagë të plotë në dorë para nisjes së kampionatit (3 qershor). Sot futbollistët janë kthyer në stërvitje. Për “Super Sport” ka folur Ndriçim Shtubina, i cili bën thirrje të mos ngatërrohet politika në këtë çështje dhe të zgjidhet kjo situatë.

“Rifillimi i stërvitjes është një lajm shumë i mirë për të gjithë. Pas një premtimi të marrë nga kryebashkiakja, ne vendosëm të rikthehemi ne stërvitje. Nuk na interesojnë aspak çështjet politike, ne duam vetëm futbollin. Do doja që Vllaznia të mos përzihet me politikën, ata duhet të gjejnë një zgjidhje së bashku. Tifozët paragjykojnë sepse nuk e dinë situatën tonë”,-tha Shtubina. /vipsport/