Mbi supe mban plot 33 vite, ndërsa në fushë vrapon si të ishte në fillimet e tij të karrierës. Është në flirt të vazhdueshëm me golin dhe jo rrallëherë ka qenë lojtari deçiziv për Vllazninë. Shtubina, Ndriçimi i këtij ekipi shkodran ka dhënë një intervistë enkas për newsport.al një ditë para klasikes së Shqipërisë, Tirana – Vllaznia.

Është i bindur se nga “Selman Stërmasi” skuadra e Hysen Dedjës do të dalë me pikë, ka besim në kualitetet që janë në ekip dhe zbulon objektivin kryesor. A është i gatshëm t’i japë një asist Kukësit duke mposhtur Tiranën? Edhe për këtë ka një përgjigje, por si profesionist.

– Nesër luani një ndeshje të vështirë kundër Tiranës. Si e shihni këtë takim?

Është padyshim një ndeshje e vështirë, por gjithashtu edhe e bukur. Gjithmonë kjo lloj sfide, mbi të gjitha ka prodhuar emocione, megjithëse mungesa më e madhe janë tifozët.

– A besoni në rezultat pozitiv ndaj bardhebluve?

Kualitetet janë, mundësitë për të marrë pikë kundër Tiranës i kemi.

– Historia ka treguar që keni qenë “macja e zezë” për kryeqytetasit. A mendo se do t’i prishni punë për titullin kampion?

Unë mendoj se duhet të luajmë për veten tonë. Duhet ta bëjmë kampionatin më të bukur. Tirana na ka frikë, jam i sigurtë.

– Cili është objektivi i Vllaznisë?

Në këtë fazë të kampionatit nuk mund të themi një objektiv fiks. E rëndësishme është t’i largohemi vendit të 8-të, që të çon në “Play-Out”.

– Mosha për Shtubinën në fushë ecën, ndërsa ndriçon si një djalosh 20-vjeçar. A do t’iu shohim sërish sezonin e ardhshëm me shkodranët apo keni plane të reja?

Unë mundohem të jap gjithçka për skuadrën, pasi kam luajtur në shumë role. Ndihem mirë për moshën që kam sa i përket anës fizike. Në fund do të shohim çfarë do të ndodhë.

– Para 2 sezonesh, pikërisht në fazën e katërt luanit një ndeshje “jete” do ta quanim kundër Tiranës. Në atë periudhë, ju arritët të qëndroni në Superiore ndërsa bardheblutë zbritën një kategori më poshtë. A jeni gati t’ia hiqni titullin nga duart bardhebluve?

Ajo ndeshje ishte dhe do të mbetet e paharruar. Por, futbolli kështu është. Tani vijmë në këtë ndeshje në situata krejt ndryshe. E rëndësishme është të jetë futboll i bukur.

– Do t’i jepnit një “asist” ish-ekipit tuaj, Kukësit?

Unë jam i përqëndruar në punët tona. Kampionati është i hapur deri në fund dhe uroj ta fitojë më i miri.