Historia është për t’u kujtuar, ndonjëherë për mirë dhe ndonjëherë për keq. Njëlloj si kjo e Tiranës që nis 4044 ditë më parë. Më saktë, 23 maj 2009, për ata që nuk e mbajnë mend. Ditë kur Devi Muka me fanellën e Tiranës ngrinte në mitikun “Qemal Stafa” trofeun e 24-t kampion.
Një datë e madhe për gjithë popullin bardheblu, por edhe një plagë më vete. Prej asaj dite skuadra më e titulluar e Shqipërisë nuk e ka parë veten mbi të gjithë, të ngrejë trofeun e 25-të. Një ëndërr për të gjithë bardheblutë, që tani është më reale se kurrë. Ose, më saktë, larg vetëm 630 minuta lojë dhe 15 pikë, duke llogaritur një kombinim fitues në ndeshjen me Kukësin.
Gjithsesi, për të arritur te titulli, Tirana duhet të kalojë shtatë finale të rëndësishme. Si fillim ka një sfidë të madhe për nga emri, klasiken e Shqipërisë mes bardhebluve dhe Vllaznisë ose dy skuadrave më të vjetra të futbollit shqiptar.
Tirana këtë vit e ka dominuar takimin me dy fitore dhe një barazim, por duke humbur dy pikë në kryeqytet. Kuqeblutë, përballë të cilëve bardheblutë dekadën e fundit kanë dy momentet më të mëdha të viteve të fundit, titullin e 2009-ës të fituar drejtpërdrejt me Vllazninë dhe rënien në 2017-ën. Pa shumë fjalë, muri i parë i Tiranës quhet Vllaznia.
Egboja me shokë duhet të kalojë një tjetër pengesë, por nga ato që gjithmonë për bardheblutë është e rrezikshme, Skënderbeu dhe Ilir Daja. Ky i fundit është një nga ata që Tiranën e njeh me “rrënjë e dhëmballë” dhe në çdo rast e ka kompleksuar me sajimet e tij tekniko-taktike.
Një fitore në Korçë e kombinuar me rezultatet e Kukësit do të sillte titullin matematikisht që para ndeshjes me verilindorët. Gjithsesi, Tiranës nuk i lejohet të gabojë qoftë edhe me barazim kundër Vllaznisë e Skënderbeut dhe minimalisht të jetë në gjendjen e sotme, me gjashtë pikë avantazh ndaj Kukësit, duke shpresuar nga dhuratat e Laçit e Bylisit.
Më pas janë dy 90-minutëshat me Kukësin dhe Partizanin. Nëse është gjashtë pikë përpara, ka luksin të humbasë vetëm një nga dy takimet ose të barazojë një ndeshje edhe nëse humbet një nga sfidat, por kurrë përballjen me Kukësin. Tirana nuk duhet të humbasë të dyja ndeshjet me Kukësin dhe Partizanin, sepse në këtë skenar është ekipi i Shehit që del përpara, ashtu siç Gjici shpreson prej muajsh.
Me laps në dorë dhe në rastin më të keq, bardheblutë edhe nëse janë me pikë të barabarta me Kukësin, por janë përpara me golavarazh, duhet të fitojnë tri ndeshjet e mbetura të Superiores, dy prej të cilave në shtëpi. Flamurtarin dhe Bylisin javën e fundit, që janë të kalueshme.
E vetmja ndeshje e bezdisshme për Tiranën mbetet Laçi në javën e 35-të. Një sfidë që Tirana e ka fituar në dy vizitat e fundit në Kurbin, ndonëse do të ishte më e udhës që të shkonte e përgatitur. Dhe, për ata që po presin me ankth, llogaria është e thjeshtë. Tirana ka luksin të fitojë pesë nga shtatë ndeshjet, përfshirë edhe Kukësin dhe automatikisht është kampione e Shqipërisë…