Opinion nga Taulant KOPLIKU

Në fakt jemi në ditët e para post-karnavale dhe inercia nganjëherë vazhdon gjatë. Meqë ka ca kohë që nuk e ndjek “Vllazninë” në shkallët e stadiumit por gjithsesi informohem nga miqtë e mij gazetarë në gazetat kombëtare, kësaj here u befasova dhe nga ata vetë. Të prirur  të mbajnë paksa “anën” si të gjithë kolegët e tyre në rrethe, duket se miqtë e mij nuk e gjetën të rrugës ta konsiderojnë aspak të rëëndësishëm incidentin me trajnerin e Skenderbeut pas ndeshjes në “Loro Boriçi” për kupën e Shqipërisë. Fluturimi dhe buja që bëri më pas ai top bore mbi gjoksin e Levit në të vërtetë shumë në shkodër i bëri të buzëqeshin. Mua jo. Edhe pse më përpara pëlqej të sqaroj (se kam për turp) se Skenderbeu është skuadra shqiptare që më jep kënaqësi tejet të veçantë kur humbet. Do ta doja pafundësisht humbëse ndeshje pas ndeshjeje për sa kohë të vihet në dispozicion të tij një makinë e tërë shtetërore e për sa kohë që Sandri (megjithëse mesa di unë është me origjinë nga Malësia) ka një preferencë të vonuar por deri në ereksion për Skënderbeun e Korcës. Nejse, kjo është tjetër histori.

Më la shije të hidhur ai vrapim  arratisës i Levit drejt dhomave të zhveshjes i ndjekur nga ndihmësi i tij, (një budalla mesa duket) i cili i tregon me dorë tifozëve një pjesë erotike të trupit të tij të cilës mendoj se në fakt duhet ti gjejë një tjetër vend. Ka dhe mjaft shprehje që e lidhin ekspozimin e asaj pjese ose vënien në dukje me burrërinë, por ky mjeran vrapoi duke e lënë pas këtë vlerë që duket se e mat vetëm me vendosjen e dorës atje.

Ishte apo nuk ishte Genci i bashkisë agresori i Levit me ndihmësin, edhe kjo është një temë që gjen alibi të thjeshtë, të paktën për ata që e njohin nga afër shoferin e kryetarit të bashkisë së Shkodrës. Nëse Genci kalon nga redaksitë e gazetave në Tiranë, meriton të paktën një ndjesë nga ata, të cilët do binden menjëherë se ky zotëri nuk është për ata punë. Se kush e bënë atë veprim, edhe kjo është një histori që i përket drejtuesve të klubit. Bëhet fjalë për zonën më elitare të tifozerisë, ata të zgjedhurit. Se a do jetë klubi në gjendje të ndreqë gjërat që kur bora të shkrihet të mos zëvendësohet me shishe, kjo është punë e tyre. Ndoshta janë aq të pasur të paguajnë gjobat e federatës.

Problemi ne fund. Kjo dreq policie a ka ndonjë detyrë tjetër në stadium përveç bërjes tifo për skuadrën. është bërë e modës që uniformat blu në lac, Peqin, Kamëz, Krujë etj, etj, të jenë protagonistë baraz me tifozët e thekur por tashmë kjo modë hyri vrullshëm dhe në Shkodër mesa duket. Me të rënë bilbili i fundit, grupi i xhirimit i “Supersport” dhe trajnerët miq u lanë të vetëm në fushë dhe për fat ishtë një polic i vetëm që arriti me shumë “mund” t’i shpëtojë “lëkurën” Levit. Pikërisht që në krye të shkrimit këtë qëllim pata. Meqë nuk shkoj në stadium (larg qoftë në tribunën vIP), a kishte policë atë ditë në “Loro Boriçi”?