Shumë kontestime dhe polemika ka pasur ndeshja e sotme mes Skënderbeut dhe Vllaznisë, që eshte mbyllur në shifrat 2-2. Tensioni ka nisur që në minutat e para për vetë situatën e dy ekipeve, që kërkonin me patjetër fitoren.

Kulmi i tensionit arriti në minutën e 82-te. Arbitri jep penallti në favor të Vrapit pasi kishte një kontakt me Zogovic, që e mbajti me duar. Portieri i Vllaznisë nuk ishte dakort me penalltinë, ndërsa kryesori i takimit e pa me VAR.

Kur u rikthye, jo vetëm që u dha 11-metërshi, por u shoqërua me një karton të kuq. Zogovic ka mbetur i befasuar dhe është shtrirë në tokë, duke mos i besuar vendimit. Gjithë inatin nisi që ta shfrynte te fanella e tij, më pas ka shkuar drejt arbitrit mes toneve të ashpra.

Lojtarët e Vllaznisë e kanë hequr me forcë, por janë dashur disa minuta që Zogovic si një “bishë e tërbuar”, të dilte nga fusha e blertë, natyrisht edhe me lot ne sy. Pamje që nuk i kishim parë kurrë më parë… /Sport Ekspres/