Për të dëgjuar kërcitjet e një dërrase të kalbur nuk mjafton që të rikthehesh pas në kalendar, apo akoma më shumë në fazën përgatitore në Dubai. Mjafton të mbledhësh shiritin dhe të kujtosh miqësoret e verës, në fund të së cilave shpesh dhe si pa hiçgjë nënvizohet: “Fundja, rezultatet e korrik-gushtit nuk vlejnë”.

Ndoshta, por deri në njëfarë pike ama, sepse që atëherë dallohej qartë se faza mbrojtëse e Milanit nuk ishte ajo e sezonit të kaluar që e shpalli kampion Italie. Nuk ishte më ajo në të cilën “Djalli” mbështetej për të marrë në fund me vete në “Milanelo” trofeun e titullit. Dhe po, e vërteta është se sezonin e kaluar, sekreti i kuqezinjve ishte mbrojtja, më shumë sesa sulmi.

NDËRGJEGJE E PISTË – Ndërkohë, në këtë sezon duket sikur Milani për të fituar ndeshjet duhet të shpresojë që sulmi të bëjë një gol më shumë sesa ato që pëson mbrojtja. Ndeshjet pa pësuar po nisin të zhduken në mënyrë shumë të rrezikshme. Të famshmet “clean sheet”, pra ndeshjet me portën e paprekur, në kampionatin e kaluar ishin 18 (duke pasur një seri prej 6 të tillësh radhazi në pranverë). Ndërkohë në këto 17 ndeshje të para, ndeshjet pa pësuar kanë qenë vetëm 4 (Bolonja, Sasuolo, Juventus dhe Kremoneze). Ndryshimi i marshit është evident, pasi ajo që bën përshtypje është se qendra e mbrojtjes është po e njëjta, Kalulu-Tomori, por në barazimin kundër Romës që të dy e kanë ndërgjegjen e pistë. Sidomos anglezi duket në rënie totale, pasi ndryshe nga Kalulu eksperienca flet në anën e tij, por nuk po e tregon.

Sigurisht, edhe kapitulli i portierit mund të qëndrojë në këtë argument. Menja nuk është vetëm “Tarzani” që lëshohet nga njëra shtyllë në tjetrën, por në të njëjtën kohë është edhe një udhëheqës dhe radar për mbrojtësit e tij, për të mos humbur busullën, diçka që Tatarushanu nuk është parë kurrë ta bëjë. Pastaj, edhe mungesa e Kalabrias në pjesën më të madhe të sezonit të deritanishëm ka kushtuar, pasi taktikisht ofron një ekuilibër të rëndësishëm. Sepse sa herë ai ndiqte sfidën nga infermieria, Piolit i është dashur të zgjerojë në të djathtë Kalulun duke prishur ndoshta edhe ingranazhet e një reparti që dukej i konsoliduar deri pak muaj më parë.

KOMPLIKIME – Në barazimin me Romën mbeten edhe imazhet e një mbrojtjeje të rreshtuar keq në të dyja rastet. Nëse në rastin e pësimit të golit të parë Ibanjez, Matiç e Abraham ishin të lirë që të godisnin në vetmi totale portën, i njëjti gabim flagrant ndodhi edhe në rastin e golit të dytë. Prandaj, pas kësaj situate lind pyetja? Mos ndoshta Milani kërkon që t’i komplikojë jetën vetes në minutat finale, apo thjesht kjo skuadër ka harruar që të mbrojë kur bëhet fjalë për një goditje standarde?

Një sëmundje të tillë skuadra e Piolit e kishte shfaqur edhe në sezonin e kaluar, por ajo u korrigjua shpejt, ndërkohë që tani është një virus i rrezikshëm që po i kushton shtrenjtë Milanit dhe askush nuk po provon të praktikojë antivirusin. Nga 21 golat e pësuar deri tani, 10 kanë ardhur nga topa të ndaluar (goditje standarde ose këndi), e thënë ndryshe 48 për qind e tyre. Shkurt, “Djallit” i ka humbur agresiviteti dhe vëmendja në mbrojtje, sepse në 8 daljet e fundit, mbrojtja ka qenë perfekte vetëm në Kremona dhe tani ky repart e gjen veten në vendin e gjashtë të kësaj renditjeje, e cila po i rrezikon papritur edhe vendin e dytë, që nga e diela e ndan së bashku me Juventusin.