Klubet italiane vëzhgojnë me kujdes talentet shqiptare dhe duket se shumë shpejt një tjetër futbollist i perspektivës do të zbarkojë në Serinë A. Mediat përtej Adriatikut raportojnë se jo vetëm Igli Tare është i vëmendshëm ndaj talenteve shqiptare në qarkullim, por edhe klubi i Torinos, i cili po mendon një oferte për një talent të padiskutueshëm i cili po tregon vlerat e tij në kampionatin zviceran.

Torino interesohet për mesfushorin 19-vjeçar Nedim Bajrami, i cili luan aktualisht me skuadrën e Grasshopers në Zvicër. Djaloshi i lindur në Tetovë, por i rritur që i vogël në Zvicër, ka qenë pjesë e akademisë së kësaj skuadre, por që nga viti i kaluar ka gjetur hapësira me ekipin e parë të Grashshopers, duke u konfirmuar si një element me shumë perspektivë.

Përtej Adriatikut saktësojnë se drejtori sportiv i Torinos, Xhanluka Petraki, ishte interesuar për djaloshin që në verë, por nuk kishte bërë ende lëvizjen e tij, Megjithatë, Bajrami shihet me prioritet për janarin, pasi ka treguar aftësi mjaft interesante duke luajtur si mesfushor qendre apo organizator.

Bajrami është një prej emrave që Shqipëria ndjek me interes prej kohësh, por futbollisti për momentin ka zgjedhur të luajë me Zvicrën, duke e përfaqësuar atë me ekipet e moshave U17 dhe U19. /vipsport/