Kalendari i javës së parafundit të fazës së tretë të kampionatit, e nka lënë pushim ekipin e Vllaznisë. Në këto kushte, stafi teknik i saj ka dëshiruar që të kishte një ndeshje miqësore sepse kështu do të mbante në tonus futbollistët.

Por në fakt, ka qenë e pamundur për të gjetur kundërshtar sepse të gjithë ekipet janë në aktivitet këtë fundjavë, përfshi ato të Superligës, kategorisë së parë, të dytë, madje edhe të moshave. Në këto rrethana, pas stërvitjes të së premtes, mësohet se trajneri Canaj ka vendosur t’i lërë pushim futbollistët e tij dy ditët e ardhshme.

Pra të shtunën dhe të dielën kuqeblutë nuk do të jenë në stërvitje por të hënën do të vijojnë përgatitjet për dy sfidat e fundit të kampionatit, atë me Erzenin në Shkodër e vlefshme për javën e fundit të fazës së tretë dhe më pas për sfidën me Bylisin, finalen e kampionatit.

Objektivi i kuqebluve padyshim që është fitorja e të dyja këtyre ndeshje, për t’i bërë mbylljen e duhur këtij sezoni, por kryesisht fokusi është i përqendruar tek finalja ndaj ballshiotëve. Stafi teknik po bën çmos për ta mbajtur skuadrën të karikuar për këtë finale por kjo nuk është aspak e lehtë.

Kundërshtari ka treguar këtë sezon se ka një formë shumë të mirë sportive dhe për më tepër luan një futboll të fortë dhe agresiv. Prandaj, nëse Vllaznia nuk i përgjigjet ashtu si duhet në fushën e lojës nuk përjashtohet mundësia edhe për ta humbur ndeshjen, por në kampin shkodran kjo gjë nuk llogaritet.
© shkodrasport.com