Faqja e njohur “Jeta Osh Qejf” ka publikuar sot një denoncim të bërë nga një basketbollist i ekipit kombëtar të të rinjve (mbetet anonim), që është përzgjedhur në listën përfundimtare nga stafi drejtues. Por në vend që të shijojë këtë vlerësim, lojtari është ndjerë në siklet dhe hall, pasi për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi i duhet të paguajë një shumë prej 30 mijë lekësh në llogarinë e Federatës Shqiptare të Basketbollit!
Kjo e fundit, përmes një shkrese të dërguar kohë më parë prindërve të lojtarëve kandidatë të ekipit kombëtar, sqaron se e ka të pamundur të mbulojë financiarisht grumbullimin.Ndaj FSHB ka krijuar “Fondin e Ekipeve Kombëtare”, ku të gjithë sportistët e grumbulluar do të kontribuojnë financiarisht. Fillimisht, kandidatët do të kontribuojnë me 20 mijë lekë të reja dhe më pas, 12 të përzgjedhurit, do të paguajnë edhe 10 mijë lekë të reja shtesë. Pra, 30 mijë lekë të reja në total. Kjo mënyrë është konsideruar nga sportisti si një zhvatje nga ana e Federatës, që u kërkon lekë prindërve të sportistëve të grumbulluar. Dhe kjo kërkesë ndodh me basketbollistët e të gjitha grumposhave (U-16, U-18 dhe U-20).
www.shkodrasport.com