Shqipëri arriti të merrte dje një fitore të artë 0-1 në transfertë ndaj Hungarisë. Sfida u vendos nga një supergol i shënuar nga Armando Broja në minutën e 80-të.

Sulmuesi i Southamton, ashtu si në ndeshjen e luajtur në Elbasan, edhe dje vulosi fitoren e Kombëtares duke i dhënë 6 pikë në dy ndeshjet ndaj Hungarisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, legjenda e futbollit shqiptar dhe e Kombëtares, Sokol Kushta nuk i ka kursyer aspak elozhet për Brojën.

Kushta ka përgëzuar Kombëtaren, trajnerin Reja, por në veçanti Brojën duke thënë se ata që anashkalojnë këtë djalë të ri me të ardhme të madhe ose janë të paditur nga futbolli, ose janë xhelozë.

“Brova Kombëtarja, bravo Reja, bravo Broja. Unë jam kundër unit, por jo kundër statistikave dhe faktit që Broja mund të jetë ndër të paktit ose i vetmi që i ka dhënë ekipit kombëtar 6 pikë personale.

Kush flet ose e anashkalon këtë djalë të ri, ose është i paditur në futboll ose është xheloz. I uroj Brojës të vazhdojë këtë rrugë të bukur dhe të ketë kujdes vetëm nga vetja. Suksese Kombëtares në kualifikimin e botërorit, shanset janë të mëdha”, shkruan Kushta./newsport/