Sot do jetë një ditë feste për sportin në Shkodër, e veçanërisht për futbollin e femrave. Kjo pasi Vllaznia e vajzave do luajë ndeshjen më të rëndësishme në historinë e top këmbës në vendin tonë. Vajzat kuqeblu të kualifikuara në grupet e Champions League, në orën 17:45 do zbresin në “Loro Boriçi”.

Dhe kjo as më pak e as më shumë për tu ndeshur me një emër të madh të futbollit siç është Real Madrid. Patjetër që nuk është Real Madrid i meshkujve që ka shkruar historinë në futbollin botëror, por sërish sfida mban doza të mëdha emocionesh dhe përballje se vështirë mund të përsëriten në histori. E jo vetëm nga Vllaznia, por nga mbarë gjithë ekipet e futbolli shqiptar.

E sot çdo gjë është për tu shijuar e një eksperiencë që duhet të jetë e paharrueshme për të gjithë. Duke filluar nga vajzat në fushë që shohin ëndrrat e tyre të plotësohen. E për të vijuar me stafin teknik, me në krye trajnerin, Nikolin Leka që sheh ti shpërblehet mundi e sakrifica e viteve.

E për ta mbyllur me presidentin, Lazer Matija. Investimi dhe vizioni i të cilit e dërguan skuadrën dhe futbollin e femrave në Shqipëri në këtë nivel. Sot një ambient tërësisht familjar pritet në shkallët e “Loro Boriçit”.

E ndoshta duke mos pasur aspak presionin e rezultatit, vajzat shkodrane mund të realizojnë një mrekulli tjetër. Epo në sport nuk i dihet kurrë, jo gjithmonë mund të fitojë më i forti apo më favoriti në letër.
Endri ÇINARI