Java e 18-të e Superligës do mbyllet sot me 3 ndeshjet që do luhen. Në këtë mënyrë përfundon edhe gjysma e kampionatit ku edhe skuadrat mund të bëjnë bilancet e tyre. Ndeshjet do fillojnë sot që në orën 13:45 ku spikat dueli Laçi-Partizani. Një çift që ka dhuruar gjithmonë rivalitet në vitet e fundit.

Edhe kësaj rradhe luhet për Europën ku kurbinasit po kalojnë një formë fantastike. Edhe të kuqtë kryeqytetas patjetër duan që të futen fuqishëm për një vend në kupat e Europës. Kjo pasi për momentin ndodhen larg 3 vendeve të para të renditjes. Në orën 13:45 do luhet edhe takimi tjetër mes Egnatias dhe Dinamos.

Një duel direkt për mbijetesën ku rrogozhinasit vijnë me humorin e duhur pas barazimit 1-1 që morën në Shkodër javën e kaluar. E nga ana e tyre “nëndetësja” që kërkon të dalë në sipërfaqe pas luhatjeve të mëdha që ka pasur këtë edicion. Javën e mbyll ndeshja mes Skënderbeut dhe Teutës në orën 16:45.

Një duel i ripërsëritur pas atij në kupë ku durrsakët fituan në Korçë me rezultatin 0-1 falë një goli të Hebajt. Por në kampionat tashmë është një histori tjetër ku korçarët duan pikët për mbijetesën e ndërsa durrsakët të ringrihen. Këto janë edhe ndeshjet që mbyllin këtë raund dhe që do luhen sot.
Endri ÇINARI