Opinion nga Gjergj KOLA

Ardhja e Rudi Vatës nga Skocia për të marrë përsipër drejtimin e Vllaznisë në fund të tetorit, u konsiderua një gjë shumë pozitive sepse kishim të bënim me një emër të madh të futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Karriera e tij e madhe si futbollist, të gjithë prisnim të shoqërohej me një sukses edhe në atë të porsanisurën për trajner.Kur erdhi, në prononcimin e tij për mediat, deklaroi se ishte kënaqësi të punonte për Vllazninë, se do bënte të pamundurën për të evidentuar futbollistët e rinj shkodranë që nuk i kanë munguar asnjëherë kësaj skuadre etj.

Kalimi i javëve ndërkohë filloi të nxjerrë në pah jo pak probleme për Vatën. Njëherë dolën në skenë gjyqtarët kundër skuadrës së tij, njëherë tjetër doli Sukaj që ia prishi planet, njëherë tjetër diçka tjetër. Rrjedhojë e këtyre problemeve, ai nuk pati ecurinë e duhur teksa në 6 ndeshje të kampionatit, arriti të grumbullojë po aq pikë sa dhe Josa, që në fakt u pat larguar për mungesë rezultatesh. Ikja e Vatës për të festuar festat e fundvitit në Skoci pranë familjes së tij dhe kthimi nga andej në ditët e para të janarit, solli një filozofi ndryshe të këtij trajneri. Meqenëse gjërat nuk i shkuan ashtu siç mendonte, ai mendoi një reformë të thellë. Që do të thoshte, largimi i shumë lojtarëve që nuk i bindeshin ideve të tij të lojës apo dhe faktorë të tjerë dhe zëvendësimin e tyre me lojtarë që ai i njihte mirë. Në njëfarë mënyrë, Rudi po kërkonte të fuste tek Vllaznia, idenë e trajnerit-menaxher. Fakti që vjen nga futbolli britanik ku trajnerët janë ata që drejtojnë të gjithë politikën e klubit, e bëri Vatën të mendonte se do ta bënte këtë gjë edhe në Shkodër tek Vllaznia. Mendonte se ai do t’i kishte të gjithë në dispozicion, “nën urdhërat e tij” nga punëtorët e stadiumit e deri tek drejtori sportiv apo administratori i klubit. Në Shqipëri, kjo nuk funksionon aq më tepër tashmë që klubi është në administrimin e Bashkisë dhe ku ka shumë hallka dhënie llogarie apo dhe kalimi përgjegjësie. Hartimi i listës së trajnerit për largimin e plot 16 futbollistave nga skuadra në merkaton e janarit, solli “përplasjen” e madhe me drejtuesit e klubit. Lista u kundërshtua nga këta të fundit sepse binte ndesh edhe me politikat e klubit për largimin e disa futbollistave shkodranë dhe mbushjen e ekipit me lojtarë të huaj. Për rrjedhojë, nga ajo listë nuk u lejuan të largohen portieri Vujadinoviç, Belisha, Sykaj dhe Gocaj. Kjo solli në njëfarë mënyre edhe acarimin e marëdhënieve të Vatës me drejtues të veçantë të klubit aq sa vetë ai në media foli edhe për një “Hamza” që shkatërronte planet e tij. Në opinionin sportiv shkodran, gjithë këto lëvizje të trajnerit nuk janë përkrahur shumë. Ideja për të sjellë shumë lojtarë të huaj, nuk i ka pëlqyer askujt. Aq më tepër në Shkodër, në një qytet që dallohet shumë për nxjerrjen e futbollistëve të rinj. Polemikat me drejtuesit e klubit për mbajtjen apo jo të Singbos, ishin një tregues tjetër se Vata nuk mund të bëhej dot trajner-menaxher. Ai vërtetë mund të kërkojë me ngulm në skuadër Da Silvën, Dimos, Singbon, Morenon, Da Silvën e Apolonisë etj, por kjo nuk do ishte aspak pozitive të ndodhte në janar sepse në fund të fundit, lojtarët që duhen larguar, klubi Vllaznia është i detyruar t’ua paguajë sërish kontratën. Dhe Vllaznia nuk ka aq buxhet sa për të bërë shpenzime të tilla kolosale. Rudi Vata duhet ta kuptojë se ky është futbolli shqiptar. Në shumë ekipe këtu futbollistët nuk paguhen ndërsa të kërkosh tek Vllaznia kostume shtesë për stërvitje, të kërkosh kushte “luksi” deri në detaje për trajnimin e tyre, ndoshta është pak e tepruar. Në fund të fundit, Rudi Vata nuk ka në dorë financat e Bashkisë për të bërë çfarë të dojë me paratë e saj. Prandaj dhe e thashë edhe në titull: Ideja e tij për t’u bërë trajner-menaxher i klubit, është paksa e parakohshme në futbollin shqiptar. Thjesht, “ne kaq meritojmë”!