Ditën e sotme, ekipi i LIteksit, ka zhvilluar një ndeshje miqësore ndaj kundërshtarëve modest të Hebros. Ndeshja, siç bëhet e ditur edhe në faqen zyrtare të klubit http://pfclitex.com/site/bg/, është luajtur në Svilengrad dhe ka përfunduar me rezultatin 6-0 për ekipin e Liteks Lovech. Ndonëse miqësore, kjo ndeshje ka shënuar edhe të parin takim të futbollistit shkodran Armando Vajushi me këtë skuadër.

Madje ka qenë një debutim mjaft i suksesshëm teksa shkodrani ka shënuar një gol dhe ka dhënë tre asiste në 45 minutat që ka luajtur. Ai ka qenë pjesë e formacionit të parë që trajneri Stoiçkov ka hedhur në fushë në pjesën e dytë. E para, ku ka luajtur formacioni i dytë, është mbyllur 2-0 për Liteksin, ndërsa në të dytën janë shënuar edhe 4 gola të tjerë, në të cilët 20 vjeçari shkodran ka qenë protagonist në të gjithë ata. Pas kësaj ndeshje, duke folur ekskluzivisht për gazetën online shkodrasport.com, Vajushi do të shprehej: “Ka qenë ndeshja ime e parë me Liteksin dhe ndonëse miqësore, kam provuar shumë emocione. Kam luajtur me formacionin e parë dhe ka qenë një ndeshje perfekte për mua. Kam shënuar një gol, kam dhënë tre asiste në golat e tjerë. Ndjehem mjaft mirë në këtë skuadër. Këtu më duan të gjithë dhe në veçanti trajneri Stoiçkov më ka me sy të mirë. Nuk shoh ndonjë nivel shumë më të lartë se ai i futbollit shqiptar por thjesht, këtu ekipet luajnë më fort dhe kanë kushte më të mira stërvitje. Asgjë tjetër”. Kampionati bullgar fillon më 25 shkurt dhe deri atëherë është kohë përgatitjes. E rëndësishme është që Armando Vajushi e ka nisur me këmbë të mbarë aventurën e tij të re tek Liteksi.

www.shkodrasport.com