Më në fund ka ardhur momenti që të zhvillohet ndeshja e shumëpritur e Ligës Ballkanike në mes Vllaznisë dhe ekipit Mornar të Tivarit. Ajo do të zhvillohet në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe pritet që të ndiqet nga një numër i madh sportdasësish shkodranë, madje problemi i madh gjatë këtyre ditëve për drejtuesit e shoqatës së basketbollit dhe ata të klubit shumësportësh Vllaznia, ka qenë kapaciteti i vogël i pallatit të sportit. Sa i takon sfidës në fushë, kuptohet që ajo nuk ka favoritë.

Malazezët kanë zhvilluar dy takime deri tani dhe i kanë humbur që të dy ndërkohë shkodranët kanë luajtur vetëm në Prishtinë dhe kanë humbur ndaj Sigalit. Trajneri i Vllaznisë Bledar Gjeçaj ka shfrytëzuar javën e kaluar pushimin e skuadrës së tij në këtë kompeticion për të ndjekur kundërshtarin e sotëm, pikërisht në takimin me Sigal Prishtinën të luajtur në Tivar. Kosovarët e fituan atë ndeshje me rezultatin 87-80 por për trajnerin e kuqebluve me vëmendje ka qenë ndjekja e lojës së malazezëve dhe ai tashmë e ka një ide të qartë për këtë. “Unë e kam ndjekur nga afër këtë takim për të parë se kush është ekipi i Mornarit. Ai vërtetë humbi me 7 pikë ndaj Sigalit por të them të drejtën kam konstatuar se kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë të fortë. Në rradhët e tij Mornari kishte dy basketbollistë amerikanë, ku sidomos qendra kishte një kërcyeshmëri shumë të madhe, çka do të jetë një problem për lojtarët tanë në luftën poshtë tabelës. Megjithatë ne do të përpiqemi të bëjmë lojën tonë. Duke patur edhe mbështetjen e zjarrtë të tifozëve tanë, besoj se do ta vëmë në vështirësi këtë kundërshtar dhe marrja e fitores besoj se do ishte një lajm shumë i mirë për të gjithë basketbollin shqiptar. Kuptohet që diferencat në buxhet mes dy ekipeve janë të mëdha dhe kjo mund të reflektohet edhe në fushën e lojës por gjithsesi ne do të bëjmë punën tonë, në rradhë të parë për të kënaqur tifozët. Nëse do arrihet fitorja, do ishte një sukses i madh”- ka deklaruar për gazetën trajneri i Vllaznisë Bledar Gjeçaj. Skuadra shkodrane ka thuajse të njëjtën përbërje të sezonit të kaluar me përjashtim të malazezit Gjokoviç që nuk e ka rinovuar kontratën si dhe të shkodrani Shestani që nuk është më pjesë e ekipit. Por në vend të tij ka ardhur Faslija, ka ardhur Llazani si dhe kanë ardhur edhe tre basketbollistë të huaj, dy malazezët Gavriniqi dhe Pajoviç si dhe kroati Petriç. Forca e ekipit është rritur por ballafaqimi me ekipet e tjera pjesmarrëse të Ligës Ballkanike kërkon tjetër kualitet. Gjithsesi sonte do të provohet marrja e fitores së parë. Vllaznia nuk ka hyrë si pretendente në këtë kompeticion por për të marrë përvojë dhe për t’u matur me ekipet e Rajonit tonë në mënyrë që gradualisht niveli i basketbollit shqiptar të vijë duke u rritur.
Gjergj KOLA