Në historinë e futbollit shkodran kanë lënë gjurmë jo pak emra të shquar të cilët më pas kanë kontribuar edhe me skuadra të ndryshme të huaja dhe njëri ndër to është edhe Uliks Kotrri. Po ndalemi sot tek ky personazh ngaqë feston edhe 45 vjetorin e tij të lindjes dhe me këtë rast gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Kotrri ka lindur në Shkodër më 21 qershor 1975 dhe zgjedh të merret me futboll teksa spikat menjëherë me ekipet e moshave dhe pastaj në sezonin 1992- 1993 do të kalonte tek ekipi i parë i Vllaznisë. Paraqitjet e tij janë shumë të mira, megjithatë do të largohej shpejt prej tij.

Kjo ngaqë do të firmoste në Austri me ekipin e Klagenfurt (po atë sezon me këtë ekip u bashkua edhe Edi Martini) dhe do të luante më të në sezonin 1995-96. Do të kthehej një sezon më vonë sërish tek Vllaznia, para se të kalonte në Gjermani, aty ku në sezonin 1997-98 firmosi për ekipin e njohur gjerman Energie Cottbus.

Do të rikthehej sërish në Shqipëri për të dalë madje kampion me Vllazninë në sezonin 2000-2001 ndërkohë që në sezonin 2003-2004 do të kalonte në Ukrainë tek skuadra Tavria Simferpol. Do të provonte të luante deri në Zelandën e Re në sezonin 2005-06 me ekipin Otago United, para se të kthehej për herë të fundit tek Vllaznia me të cilën do të mbyllte karrierën, por para se të ndodhte kjo, do të fitonte Kupën e Shqipërisë me të në sezonin 2007-2008.

Nderkohe, Kotrri ka qene pjese e gjitha ekipeve kombetare te moshave te Shqiperise dhe madje ka luajtur edhe 3 ndeshjen me fanellen kuqezi te kombetares se te rriturve duke lene gjurme kesisoj edhe me te dhe duke shenuar nje tjeter hap te rendesishem te karrieres se tij.

Pas lënies së futbollit ndërkohë, Kotrri nuk është shkëputur nga ky sport por tashmë duke punuar si menaxher i FIFA-s teksa ka bërë shumë transferime të lojtarëve shqiptarë dhe jo vetëm. Ndërkohë tashmë traditën e Uliksit po e vazhdon një tjetër pjestar i kësaj familje, djali i tij- Enea tashmë 17 vjeçar që është pjesë e Akademisë së Energie Cottbus dhe njëkohësisht edhe e kombëtares shqiptare të kësaj moshe.
Gjergj KOLA