Mungesa në dy ndeshjet e fundit në ndeshjet e Vllaznisë, ka shkaktuar jo pak dyshime se braziliani Victor da Silva mund të largohet nga Vllaznia, ngaqë trajneri nuk i ka dhënë hapësirat e duhura të aktivizimit si titullar.

Edhe për ndeshjen e djeshme ndaj Skënderbeut, fillimisht u tha se dëmtimi që ka patur kishte kaluar dhe ai do të ishte i gatshëm për të luajtur, por nuk ndodhi kështu sepse sulmuesi anësor nuk ishte fare i grumbulluar me ekipin.

Kjo gjë ka shtuar edhe më shumë zërat për një problem mes tij dhe trajnerit, por vetë Brdariç dje u shpreh se lojtari kishte ende shqetësime me dëmtimin dhe prandaj nuk ishte i grumbulluar.

Por për t’i dhënë fund të gjitha dilemave dhe dyshimeve, ka menduar sponsori Alban Xhaferi. Në një prononcim për “Shkodra Sport” ai është shprehur: “Ju siguroj që nuk ka asnjë çështje “Da Silva” tek Vllaznia. Unë kam patur një takim sot me të dhe kemi diskutuar gjatë për mundësinë e rikthimit sa më të shpejtë në fushën e lojës.

Dëmtimi që ai ka patur, e ka shqetësuar jo pak, por shpresoj që tashmë të jetë duke e kaluar dhe pse jo, që të mërkurën të bashkohet me ekipin për ndeshjen me Tiranën”.

I pyetur nëse lojtari ka shfaqur ndonjë dëshirë për t’u larguar nga Vllaznia, Xhaferi ka shtuar: “Në atë takim që pata me lojtarin, fjala “largim” as që është përmendur prej tij dhe si rrjedhojë, ne e konsiderojmë një element të rëndësishëm të skuadrës, prandaj për të njëlloj si në ndeshjet e kaluara”./SHKODRA-SPORT.COM/