Vllaznia zhgënjeu ndaj Egnatias dhe kjo ka mërzitur jo pak drejtuesit e klubit. Më tepër se humbja, ajo që ka dëshpëruar shkodranët, ka qenë loja e dobët që skuadra zhvilloi dhe mbi të gjitha problemet që u shfaqën si në pjesën e parë, ashtu edhe në pjesën e dytë.

Megjithatë, duke parë kualitetet që kanë kuqeblutë, stafi teknik është i bindur për kthesën e shpejtë, pikërisht të dielën ndaj Kastriotit në Shkodër, teksa ndeshja do të luhet në orën 17:45 për llogari të javës së pestë.

Krutanët kanë qenë një makth për shkodranët gjatë sezoneve të fundit, por jo në totalin e përballjeve mes dy ekipeve ne gjithe historine e perballjeve mes tyre.

Kështu, në 31-ndeshje që skuadrat kanë luajtur mes tyre në elitën e futbollit shqiptar, Vllaznia ka 17-fitore ndaj Kastriotit. Gjashtë ndeshje kanë përfunduar në barazim, ndërsa tetë herë kanë triumfuar krutanët.
Maringlen ZHIVANI