Trajneri Thomas Brdariç para ndeshjes me Laçin që u fitua 5-3 nga Vllaznia, pat deklaruar se nuk i interesonin shumë statistikat, por mendonte vetëm për ndeshjen. Edhe ai vetë në fakt e kishte të qartë se nuk do të ishte e lehtë për të fituar, por jo e pamundur.

Ajo që çuditi të gjithë ishte rezultati i ndeshjes. Shkodranët shënuan plot 5 gola në këtë 90 minutësh, më shumë sesa kishin shënuar këto 7 vitet e fundit në këtë fushë të vështirë.

Siç raporton “Shkodra Sport” në 12 ndeshjet e fundit para asaj të djeshmes që Vllaznia ka luajtur në Laç, kishte shënuar vetëm 4 gola!!! Pra me një mesatare skandaloze prej 1 goli në tre ndeshje.

Dhe kuptohet që duke shënuar kaq pak, normalisht që ke shumë pak shanse për të fituar dhe si rrjedhojë kuqeblutë kishin gati 7 vite e gjysëm që nuk e njihnin shijen e saj në këtë fushë.

Laçi ishte kthyer në “mace të zezë” për shkodranët dhe statistikat e mëposhtme e tregojnë më së miri këtë gjë. Të shënosh vetëm 4 gola në 12 ndeshjet e fundit, ishte kthyer në një problem të madh për kuqeblutë.

Por dje ata “i kanë vënë shkelmin” këtyre statistikave duke shënuar plot 5 gola në një 90 minutësh të vetëm. Më shumë sesa kishin shënuar në plot 7 vite sëbashku.

“Shkodra Sport” po ju sjell me poshte statistikat e 13 ndeshjeve te fundit te Vllaznise ne Laç:

06.10.2014 Laçi- Vllaznia 3-0

04.03.2015 Laçi- Vllaznia 1-0

02.12.2015 Laçi- Vllaznia 2-0

30.04.2016 Laçi- Vllaznia 3-2

14.12.2016 Laçi- Vllaznia 1-0

15.05.2017 Laçi- Vllaznia 3-0

30.09.2017 Laçi- Vllaznia 2-0

28.02.2018 Laçi- Vllaznia 1-0

27.10.2019 Laçi- Vllaznia 3-0

07.06.2020 Laçi- Vllaznia 5-2

19.12.2020 Laçi- Vllaznia 1-0

10.04.2021 Laçi- Vllaznia 0-0

11.09.2021 Laçi- Vllaznia 3-5