Vllaznia nuk ia doli të shkojë përtej barazimit pa gola në transfertën ndaj Skënderbeut, ku të gjithë pjesën e dytë e luajti me një lojtar më pak pas ndëshkimit me karton të kuq të Mevlan Adilit.

E nëse qendërmbrojtësi komplikoi ndeshjen për ekipin, një tjetër futbollist, shkodrani Esin Hakaj bëri një nga ndeshjet e tij më të mira me fanellën kuqeblu, ashtu siç konfirmohet edhe nga statistikat e publikuara në emisionin dedikuar Superiores, “Analiza Superiore”.

Kështu shkodrani 24-vjeçar ka realizuar me sukses të 9 driblimet që ka provuar, një shifër kjo e jashtëzakonshme, aq më tepër kur bëhet fjalë për një lojtar mbrojtës, që nuk duhet të ketë teknikën pikën e tij më të fortë.

Por nuk mbaron këtu, pasi edhe në fazën mbrojtëse Hakaj e ka bërë në kufijtë e perfektes detyrën e tij, duke fituar 17 nga 20 duelet me kundërshtarët, 85% të tyre.

Shkodrani është gjithashtu edhe futbollisti më aktiv në lojën e skuadrës, pasi ka marrë pjesë në plot 102 aksione të ndërtuara nga kuqeblutë në transfertën korçare.

Shifra të jashtëzakonshme këto për një futbollist, që ka luajtur vetëm ndeshjen e katërt si titullar me Vllazninë, ku u rikthye në fund të kësaj vere, pas një shtegtimi 5-vjeçar mes Teutës e Partizanit.