I dëshpëruar në fundin e takimit të humbur 1-3 ndaj Veleçikut në Shkodër, trajneri i Erzenit Gentian Stojku kuptohet që nuk mund ta fshihte dot këtë gjë në fundin e tij.

Në prononcimin e dhënë për mediat, numri 1 i pankinës shijakase u shpreh: “E kemi nisur shumë keq ndeshjen dhe për rrjedhojë u ndëshkuam me gol. Me kalimin e minutave erdhëm duke e përmirësuar lojën tonë dhe si rrjedhojë edhe barazuam. Por pikërisht atëherë, erdhi kartoni i kuq që prishin çdo ballancë në fushë.

Pasi mbetëm me 10 futbollistë, e kishim shumë të vështirë të luanim ashtu si duhet. Nga kjo përfitoi Veleçiku që shënoi dy herë dhe e fitoi me meritë ndeshjen.

Nuk kam asgjë me kundërshtarin, sepse siç e thashë, ai e meritoi fitoren. Unë e kam me lojtarët e mi dhe sidomos disa prej tyre më kanë zhgënjyer sepse kanë bërë një paraqitje shumë të dobët në këtë takim.

Sa i takon të ardhmes, unë nuk kam thënë asnjëherë se jemi për Superiore apo diçka të tillë. Gjithmonë kam menduar për ndeshjen e rradhës dhe kështu do të veprojmë edhe këtë herë. Do mundohemi ta kalojmë këtë humbje ndaj Veleçikut dhe të mendojmë për ndeshjen e ardhshme”- ka deklaruar ai.
© shkodrasport.com