Mjaftojnë pak elementë për të identifikuar një qytet. Kur përmentet Rozafa, Liqeni dhe Buna të gjithëve mendja u shkon menjëherë te Shkodra. Por vendasit, e identifikojnë veten edhe me thjeshtë, me dy ngjyra, verdhë e blu.

Gjimnastika është një nga disiplinat sportive që ekipi i Vllaznisë ka nxjerrë më shumë kampionë historikisht , por pas viteve 90-të ky sport ndaloi së funksionuari në qytetin e Shkodrës.

Prej tre vitesh, ky sport po kthehet në vemendje, falë dëshirës së madhe të të rinjëve për tju rikthyer lavdisë së dikurshme .

Fëmijë nga mosha 4 vjeç stërviten çdo ditë dhe kanë arritur të marrin dhe medalje në kampionate kombëtare duke ringjallur traditën e këtij sporti në Shkodër.

Meri Islami është vetëm 8 vjeç dhe prej tre vitesh stërvitet me ekipin e Vllaznisë.

“Më pëlqen gjimnastika sepse që e vogël kur shikoja fëmijët që bënin gjimnastikë i kam thënë mamit që të merrem edhe unë me të,” – thotë Meri.

Shumë fëmijë të tjerë si ajo të pasionuar pas gjimnastikës stërviten çdo ditë nga trajneri Izmir Kashi me ëndrrën për të fituar medalje për qytetin e tyre.

Izmir Kashi trajner i gjimanstikës po vijon rrugën e babait të tij, Latif Kashi, kampion me parë me Partizanin dhe Vllazninë. për të stërvitur këto të rinj pamvarësisht vështirësive të shkaktuara dhe nga COVID-19.

“Vazhdojmë stërvitjet pavarësisht situatave të pandemisë. Kemi aplikuar metodikat e mbarëvajtjes së stërvitjes, online dhe në natyrë. Synimi është të mbajmë përgatitjen fizike dhe të rrisim nivelin moral të sportistëve,” – thotë Kashi, i cili tregon se ka si qëllim të rrisin nivelin jo vetëm në Shkodër, por edhe në nivel kombëtar.

Për Izmirin e rëndësishme është që të rinjtë të kenë aktivitet fizik, por shprehet se me shumë pasion po punojnë për rikthimin e traditës së  gjimnastikës në Shkodër.

E teksa futbolli në Shkodër po i kthehet lavdisë së dikurshme, Gjimnastika është një tjetër disiplinë që premton se edhe në të ardhmen sporti shkodran nuk do te mbetet pa medalje. / Euro News /