Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për një takim të mundshëm mes sulmuesit shkodran Xhevahir Sukaj dhe drejtuesve të Flamutarit, por ashtu siç e kemi pohuar një ditë më parë, në faqet e gazetës tonë, bëhet e ditur se dje, në Tiranë, palët në fjalë, janë takuar dhe kanë biseduar gjerësisht mbi mundësinë e transferimit të këtij futbollisti në Vlorë, gjatë merkatos së janarit, me shpresën se edhe Bashkia e Shkodrës me atë të Vlorës do të gjejnë mirëkuptimin.
Qoftë nga Vlora, por edhe nga Shkodra, nuk jepen detaje për këtë takim, madje-madje shkohet deri aty sa edhe mund të përgënjeshtrohet. Por realisht palët janë takuar dhe kanë biseduar mbi temën, që e cituam më lart. Burime të rezervuara, pranë lojtarit bëjnë me dije se bisedimet e para mund të quhet pozitive, në sensin e gjetjes së gjuhës së përbashkët në të gjitha drejtimet, për një kontratë të mundshme me skuadrën vlonjate, gjithnjë nëse Vllaznia dhe Bashkia e Shkodrës heqin dorë nga Sukaj, duke e lënë të lirë, kundrejt një shumë financiare, që mund të derdhet në arkën e klubit shkodran. Pas këtij kontakti të parë, direkt mes drejtuesit të Flamutarit dhe sulmuesit Xhevahir Sukaj, bisedimet mund të shtrihet mes krerëve më të lartë të klubeve përkatëse dhe mes dy kryetarëve të bashkive Shpëtim Gjika dhe Lorenc Luka. Ndoshta vetëm këta dy të fundit mund t’i japin një zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje. Vlonjatët nga ana e tyre nuk duan të hyjnë në punët e brendshme të klubit shkodran, por në kushtet, që ata e kanë pezulluar për katër muaj futbollin në fjalë, duke mos patur asnjë mundësi aktivizimi, atëherë Flamutari kërkon të bisedojë apo të përfitojë i pari për të nisur kontaktet me Sukajn, me shpresën se gjërat do të përfundojnë pozitivisht. Gjithë muaji dhjetor pritet të jetë interesant dhe vendimtar në këtë drejtim.
Mejdan Zhivani