Një Sukaj është fare pranë kalimit tek skuadra e Adës. Por nuk bëhet fjalë për sulmuesin e Vllaznisë Xhevahir Sukaj sepse do ishte absurde që një lojtar i përmasave të tilla, të luante në kategorinë inferiore të futbollit shkodran. Bëhet fjalë për të vëllanë, portierin e ri Suadin. Ai është aktualisht pjesë e ekipit të të rinjve të Vllaznisë por pa gjetur shumë hapësirë edhe për shkak të moshës së tij sepse është vetëm 17 vjeç.

Megjithatë duket se tek Ada kanë nevojë për një portier të tillë. Pas largimit nga skuadra e portierit Olti Bishani, trajneri Samuel Nikaj ka në dispozicion vetëm portierin tjetër Dervishaj. Nevoja për një portier të dytë, ka bërë që drejtuesit velipojakë të kërkojnë afrimin e Sukajt në skuadër. Këtë e ka bërë të ditur për www.shkodrasport.com vetë portieri në fjalë kur ka thënë: “Drejtuesit e Adës më kanë kontaktuar dhe më kanë kërkuar të jem pjesë e kësaj skuadre. Besoj se në ditët e ardhshme kjo do të bëhet e mundur sepse po e pres me shumë dëshirë nisjen e një aventure të re meqë tek ekipi i të rinjve të Vllaznisë nuk më dhanë hapësirën e duhur për të luajtur”.

shkodrasport.com