Dy nga futbollistët më të mirë të Vllaznisë së këtij edicioni por edhe atij të kaluarit, Xhevahir Sukaj dhe Armando Vajushi, kanë dëshirë të kthehen sërish në Shkodër. I pari luan në Iranin e largët, I dyti në Bullgari. Të dy po luajnë me ekipet e tyre dhe dëshira për të ardhur sërish në qytetin e tyre, nuk ka të bëjë me mosaktivizimin me ekipet aktuale. Nuk ka të bëjë as me paratë sepse atje ku janë, marrin shumë më tepër se tek Vllaznia. Arsyeja pse duan të kthehen ka të bëjë me mërzinë që u shkakton qëndrimi larg familjeve të tyre, larg ambjentit shoqëror dhe mbi të gjitha, larg Vllaznisë, skuadrës së tyre të zemrës.

Sukaj dhe Vajushi për të disatën herë, edhe dje e kanë përsëritur dëshirën e tyre për t’u rikthyer. Ata mund ta bëjnë një gjë të tillë. Kushtet që ato kanë janë dy: plotësimi I disa kërkesave financiare (sigurisht do paguhen shumë më pak nga sa marrin tani) dhe çka është më kryesorja, të ndërtojnë një ekip pretendent për titullin kampion. Kontaktet me drejtuesit e Vllaznisë në fakt kanë filluar për të dy futbollistët dhe këtë e pranojnë vetë ata. “Kam patur një bisedë paraprake me një drejtues të Vllaznisë. Ai më ka shprehur dëshirën për të më patur në skuadër sezonin e ardhshëm ngaqë dëshirojnë të ndërtojnë një skuadër pretendente. Sigurisht që edhe unë e dëshiroj një gjë të tillë por biseda është lënë e hapur”-ka thënë Sukaj ndërsa Vajushi shton: “Unë kam biseduar me drejtuesit shkodranë. Ua kam bërë të qartë edhe shumën që kërkoj për t’u kthyer në Shkodër. Ndoshta ata justifikohen se nuk kanë aq para për të më dhënë, por harrojnë se vetëm tre muaj më përpara morën 100 mijë euro prej meje. Nëse ata duan të ndërtojnë një ekip për titull, duhet të harxhojnë paratë. Si unë, edhe Sukaj është i gatshëm për t’u kthyer, e po ashtu edhe ndonjë tjetër. Por gjithë secili prej nesh, lë shumë gjëra prapa vetëm e vetëm që të kthehet për ta nxjerrë edhe njëherë Vllazninë kampione”. Dëshira e tyre për t’u rikthyer është e madhe. Megjithatë, ka edhe një dilemë sesi mund të prishen kontratat që ata kanë me klubet aktuale. Xhevahir duket se e ka më të lehtë këtë gjë sepse e ka të shkruar në kontratë. Ja si e shpjegon ai këtë gjë: “Ua kam shpjeguar edhe njëherë tjetër po për gazetën tuaj. E kam të shkruar në kontratë, nëse kthej 34 mijë dollarë, klubi më lë të lire. Drejtuesit e Vllaznisë të më bëjnë një ofertë të mirë (diçka më të mirë se ajo që më bënë në nëntor para se të largohesha) dhe unë e marr përsipër vetë me financat e mia prishjen e kontratës me iranianët dhe pagimin e dëmshpërblimit”. Ndërsa për Vajushin është tjetër histori por ai thotë se do bëjë çmos për t’u liruar nga kontrata që ka me Liteksin: “Nëse drejtuesit vërtetë duan të ndërtojnë një Vllazni për titull, unë do bëj çmos për të ikur nga Liteksi. Do gjej mënyrën për t’u larguar ndoshta në formë huazimi. Kam edhe oferta të tjera, ndoshta më të mira nga ana financiare por më dhemb Vllaznia dhe do bëj çmos për t’u rikthyer aty dhe të gjithë sëbashku, të punojmë për ta nxjerrë kampione atë”. Atëherë çfarë mund të ndodhë në ditët e ardhshme. Merret vesh që drejtuesit e klubit shkodran shumë shpejt do kenë një takim me kryebashkiakun- president, Lorenc Luka dhe pas këtij takimi do merren vesh shumë gjëra. Nga kjo mbledhje do dalë qartë edhe ajo se çfarë duan të bëjnë për sezonin e ardhshëm, sa do jetë fondi etj. Në kushte të tilla, Sukaj dhe Vajushi janë në pritje të lajmeve që do marrin nga Shkodra. “Di që shumë shpejt do ketë një takim të drejtuesve të klubit me kryetarin e Bashkisë, z. Luka për të përcaktuar strategjinë për sezonin e ardhshëm. Për të përcaktuar sa fonde do hedhin dhe çfarë ekipi do bëjnë. Pas kësaj mbledhje, unë pres një telefonatë nga drejtuesit e Vllaznisë për të më kthyer përgjigje se çfarë do bëjnë sepse edhe unë dua të mendoj për të ardhmen time, në Shkodër apo sërish jashtë saj sepse ofertat nuk më kanë munguar asnjëherë”-thotë Vajushi. Po Sukaj, çfarë kushti u ka vënë drejtuesve kuqeblu për kthimin e tij sërish si kuqeblu? Përgjigjen e jep vetë lojtari kur thotë: “Kushti i vetëm që mund t’u kërkoj unë është të marrin 4-5 lojtarë cilësorë dhe të ndërtojmë një skuadër për titull. E kam një ëndërr të madhe të shpallem kampion me Vllazninë. E kam thënë edhe më parë, unë jam i gatshëm të vij, aq më tepër që me shumë mundësi mund të më japin edhe shiritin e kapitenit. Nëse ka dëshirë dhe vullnet, ëndërra mund të bëhet realitet dhe unë dëshiroj të bëhet. Nuk ka ndonjë pengesë të madhe. Dëshirë nga të gjitha palët dhe vetëm kaq. Ashtu siç mund të sakrifikoj unë, edhe të tjerët duhet të bëjnë më të mirën për Vllazninë dhe ajo patjetër që mund të jetë kampione sezonin e ardhshëm”. Në këtë mënyrë, këta dy futbollistë e kanë bërë të qartë edhe publikisht tashmë se mund të kthehen. “Topi” është në fushën e drejtuesve të klubit.
Gjergj KOLA